Sekretari për çështjet ligjore i ish-kryeministrit Berisha, Ivi Kaso, i ftuar në emisionin “Frontline” në News24, ka folur në lidhje me situatën brenda Partisë Demokratike dhe zgjedhjet lokale të 14 majit.

Sipas tij Lulzim Basha “doli një fallxhor i madh” pasi parashikoi se çfarë do ndodhte 1 vit më pas me PD-në duke lënë autorizimin e tij për Enkelejd Alibeajn para dorëheqjes.

Ai shtoi më tej se PD nuk ka pritur për të marrë vërtetimin se kush është kryetar i partisë në bazë të vendimeve të gjykatës dhe se nuk ka asnjë term kryetar të komanduar PD-ja, përveç se nga Këshilli Kombëtar që nuk është mbledhur për këtë.

“Alibeaj nuk i ka njohur vetë Primaret si proces. Këto marifete për të mbajtur gjallë zjarrin e sherrit brenda familjes politike janë drejt fundit. Demorkatët duhet të fokusohen te zgjedhjet që po vijnë që të bëjnë më të mirën në fushatë. Stina e protestave ende vazhdon, shumë shpejt do njoftohet data e protestës së radhës.

Kryetari de-juro i PD është kthyer në barsoletë. Më vjen keq që PD dhe organet e saj janë kthyer në forma qesharake në internet. Lulzim Basha nuk është dorëhequr vërtet nga funksionet e tij si kryetar i PD-së.

Së pari fallxhor i madh na paska dalë Basha që e ka parashikuar se çfarë do ndodhte pas 1 viti. Paska qenë një plan i kahershëm dhe jo një rastësi e momentit. Megjithatë këtyre po u vjen fundi. Ka qenë një skenar i mirëmenduar.

Basha është shkarkuar nga Kuvendi i demokratëve në 11 dhjetor dhe është ratifikuar nga 44 mijë vota të demokratëve. Ka dy mënyra se si bëhesh kryetar i PD-së sipas statutit. Është parimi një anëtar një votë dhe në rast të një dorëheqjeje ose mungese vendoset një kryetar komandues, Basha nuk është asnjë nga këto. Kanë ngelur foto të vjetra në gjykatë prej vullnetit të mazhorancës.

Rikthimi i Bashës në krye të PD nuk ndodh kurrë nga gjykata. Le të mbledhë një forum Basha ose Alibeaj dhe të përballet me demokratët. Kemi një ish-kryetar të shkarkuar, shpresa e vetme është që me paçavuret që lëshon gjykata të jetë kryetar me vërtetimin e gjykatës.

PD nuk ka pritur për të marrë vërtetimin se kush është kryetar i PD-së në bazë të vendimeve të gjykatës. Nëse Basha do futet në një garë kur mandati i kryetarit tani është i mirëpritur të futet në garë e të kandidojë. Pas 4 viteve do kemi një dinamikë tjetër brenda partisë. Nuk ka asnjë term kryetar të komanduar PD-ja, përveç se nga Këshilli Kombëtar që nuk është mbledhur për këtë. Nuk ndodh me anë të një deklarate publike nga ish-sekretari i përgjithshëm.

Alibeaj në çështjen gjyqësore vjen si përfaqësues i partisë, as ai vetë nuk e pranon. Nuk ka kryetar me autorizim. Ky autorizim pa i hyrë vërtetësisë së tij, sikur ta marrësh të mirëqenë ashtu si është ka një problem shumë të madh. Në vlefshmërinë e tij nuk mund të tejkalojë tagrat e kryetarit pasi është shkarkuar.

Çdo njeri është mirë të jetë në rregull me veten, le të ndihet kryetar Alibeaj, por sa i përket aspekteve ligjore nuk ka sens të flasim. Liderët nuk caktohen me autorizime apo vendime gjykate, ata lindin nga betejat politike. Nuk kam parë betejë apo proces zgjedhor që Alibeaj të ketë kaluar. Lider nuk bëhesh me vullnetin e njërit apo tjetrit.”, tha ai.