Çmimet e mallrave të importit shënuan rritje me 6.7 %, në tremujorin e katërt të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe rritje me 0.8 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

 

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), çmimet e importit të produkteve në seksionin “energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan rritje me 19.4 %. Ato në seksionin “industri nxjerrëse” me 14.9 %, krahasuar me një vit më pare, ndërsa çmimet e mallrave në seksionin “industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 91.4 % shënoi një rritje me 5.9 %.

 

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “përpunimi i produkteve ushqimore” me 13.4 %, pasuar nga “shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 10.8 %, “prodhimi i pijeve” me 10 %, “prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 9.3 %, “prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 9 %, “metalurgjia” me 8.7 %, “prodhimi i tekstileve” me 8 %, “prodhimi i pajisjeve elektrike” dhe “prodhimi i produkteve të duhanit” me 7.9 % secila, dhe “prodhimi i mjeteve të tjera të transportit” me 6.8 %.

 

Krahasuar me tremujorin e tretë 2022, çmimet e importit të produkteve në seksionin “industri nxjerrëse” dhe “energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritje me 2.9 % secili.

 

Çmimet në seksionin “furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” u rritën me 1.1 %.

 

Rritje shënoi edhe seksioni “industria përpunuese” me 0.7 %. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike” me 3 %, pasuar nga “prodhimi i produkteve të duhanit” me 2.2 %, dhe “shtypshkrimi dhe rigrupimi i medieve të regjistruara” me 1.8 %./ATSH