Sirianët po votojnë të hënën në zgjedhjet parlamentare në pjesë të vendit të kontrolluara nga partia në pushtet e presidentit Bashar al-Assad.

Partia Baath, e cila është në pushtet që nga viti 1963, dhe aleatët e saj të majtë laikë dhe nacionalistë arabë nuk kanë pothuajse asnjë opozitë. Alternativa e vetme janë kandidatët e pavarur.

Baath pritet të sigurojë shumicën e vendeve në zgjedhjet që mbahen çdo katër vjet.

Më shumë se 1500 kandidatë janë në garë për 250 vende në parlament.

Në zonat e kontrolluara nga qeveria, sirianë 18 vjeç e lart me ID mund të votojnë në gati 8,150 qendra votimi.

Shumica e vendeve, për punëtorët ose fermerët

Sipas sistemit sirian, 127 vende në parlament janë të rezervuara për kandidatët që janë punëtorë ose fermerë, ndërsa 123 të mbetura janë të hapura për profesione të tjera, shkruan AFP.

Nuk do të ketë votime në verilindje të vendit, i cili kontrollohet nga luftëtarët kurdë, si dhe në provincën veriperëndimore të Idlib, e cila kontrollohet nga grupe të tjera të armatosura.

Zgjedhjet parlamentare në Siri mbahen për herë të katërt që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.

Me ndihmën e aleatëve kryesorë Iranit dhe Rusisë, Damasku ka rifituar kontrollin e pjesës më të madhe të territorit që humbi në fillimin e luftës civile 13-vjeçare të Sirisë, e cila filloi me shtypjen e protestave antiqeveritare.

Ai është shndërruar në një konflikt kompleks që përfshin ushtri të huaja dhe shumë grupe të armatosura, duke vrarë më shumë se 500,000 njerëz dhe duke zhvendosur miliona. /tesheshi.com/