Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot disa këshilla të mjekëve pediatër për kujdesin që duhet të tregohet ndaj fëmijëve në këto ditë vere me temperatura të larta.

Koçiu u shpreh se gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta është e nevojshme ndjekja e këshillave mjekësore.

Ministrja Koçiu ndau këshillat e mjekëve pediatër, Albert Lama dhe Anisa Potka, të cilët informojnë prindërit mbi hapat që duhet të ndjekin në rast se fëmija i tyre ka shqetësime.

Mjeku Lama u shpreh se në rast se fëmija ka temperaturë mbi 38 gradë Celsius, atëherë prindërit duhet të drejtohen te mjeku që të marrin ndihmën mjekësore në momentin e duhur.

“Veshja duhet të jetë konform stinës për të evituar djersitjen dhe si pasojë dehidratimin e fëmijës”, u shpreh ai.

Ndërsa mjekja Potka theksoi se rastet alergjike në periudhën e verës janë në rënie. “Gjithësesi prindërit duhet të kujdesen në përdorimin e ajrit të kondicionuar”, u shpreh ajo.

Këshilla për mbrojtjen e popullatës nga temperaturat e larta:

– Pini sa më shumë ujë për të shmangur dehidratimin, shmangni pijet alkoolike dhe ato me kafeinë, pasi ato mund të çojnë në dehidratim.
– Përdorni veshje të lehta, Vishini rroba të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelura për të ndihmuar trupin të ruajë freskinë.
– Qëndroni në hije dhe shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj diellit, veçanërisht gjatë orëve të pikut (11:00-16:00).
– Përdorni mbrojtje nga dielli si dhe vendosni kapele me strehë të gjerë dhe syze dielli për të mbrojtur lëkurën dhe sytë nga rrezatimi UV.
– Përdorni kompresë të ftohtë, bëni dushe të ftohta ose përdorni ventilatorë dhe ajër të kondicionuar për të ulur temperaturën trupore.
– Zgjidhni orët më të freskëta të ditës duke kryer aktivitetin fizik herët në mëngjes ose vonë pasdite kur temperaturat janë më të ulëta.
– Monitoroni fëmijët dhe të moshuarit, pasi ata janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe dehidratimit.
– Nëse keni probleme shëndetësore ose po merrni medikamente që mund të ndikojnë në aftësinë tuaj për t’u përballur me të nxehtin, konsultohuni me mjekun tuaj për këshilla të veçanta./ATSH