Edhe pse Britania e Madhe ka gati planin për ndalimin e gomoneve dhe emigrantëve ilegalë, situata duket akoma më e rënduar në kampet në Francën Veriore.

 

Sky News shkruan se shumë njerëz që qëndrojnë në këtë zonë, presin me padurim gomonet për të ikur drejt Mbretërisë së Bashkuar. Moti i keq ka penguar një sërë kalimesh.

 

Një emigrant i quajtur Izet thotë për mediat britanike se ka djalin dhe gruan në Angli dhe i duhet patjetër të shkojë. Edhe pse shumica e emigrantëve e dinë që tashmë kalimi është shumë i vështirë, sërish nuk ndalen me tentativat. Izet shpjegon se gruaja e tij është e sëmurë me kancer dhe ka nga frika se ajo mund të ndërronte jetë pa e takuar, ai nuk priti të merrte përgjigjien nëse viza e tij ishte miratuar.

 

 

Gazetari i Sky News e pyet: Nëse shkoni me gomone, mund të vdisni, dhe nëse kapeni në Angli, mund të deportoheni direkt dhe të mos mund të ktheheni kurrë. Sërish do ta provosh?

 

“Po. Sa kohë që jam ndarë nga gruaja dhe djali, kam 10 vite që nuk i kam parë”, përgjigjet ai.

 

Kalimi i rrezikshëm i Kanalit është shpesh pjesa e fundit e një udhëtimi të gjatë. Shumë prej emigrantëve janë ata që mezi kanë pritur të largohen nga lufta në vendet e tyre të lindjes.

 

Disa rrëfejnë se janë abuzuar dhe rrahur gjatë këtij rrugëtimi. Një 19-vjeçar afgan i quajtur Jaber thotë se Anglia është ëndrra e tij më e madhe.

 

Bandat kriminale që veprojnë përgjatë vijës bregdetare përbëjnë po ashtu një rrezik të madh sepse ende nuk duket se është marrë një masë për të ndaluar aktivitetin e tyre. Sky Neës shkruan se trafikantët e kanë situatën nën kontroll dhe kjo gjë nuk mbaron aq kollaj sepse ata fitojnë qindra mijëra paund çdo vit.

 

Më e çuditshmja ndër rrëfimet është se emigrantët shprehen se edhe nëse i çojnë në Ruandë të Afrikës, sërish do e merrnin rrugën për Angli. Sipas tyre është i vetmi opsion që kanë për një jetë më të mirë.

 

Punonjësit e shoqatave që merren me emigrantët thonë se plani i qeverisë për të penguar emigrantët nuk do të jetë efikas, sepse do t’i detyrojë këta të fundit të zgjedhin rrugë akoma më të rrezikshme dhe duke u fshehur më shumë do bien pre e rrjeteve të trafikimit.

 

Kujtojmë se më 7 Mars, Rishi Sunak bëri me dije se ndalimi i gomoneve do të jetë fokusi kryesor për qeverinë, ndërsa po shkohet drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Sunak përsëriti se njerëzit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht do të largohen “brenda javësh” dhe do të marrin një ndalim të përjetshëm për të kërkuar azil, duke e krahasuar politikën me atë të Amerikës dhe Australisë.