Türkiye pret që Suedia dhe Finlanda t'i përmbushin përgjegjësitë dhe angazhimet e tyre në lidhje me shqetësimet e sigurisë të Ankarasë sipas memorandumit trepalësh të nënshkruar në samitin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar, tha ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar.

 

“Presim që ata t’i zbatojnë premtimet e tyre. Ne nuk jemi kundër politikës së dyerve të hapura të NATO-s”, tha Akar në Deskun Editorial të Anadolus në provincën Hatay të goditur nga tërmetet e muajit të kaluar.

 

Qershorin e kaluar, Türkiye dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në samitin e NATO-s në Madrid për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë të Ankarasë, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në aleancë.

 

Memorandumi trajton shqetësimet e Türkiyes, duke përfshirë eksportin e armëve dhe luftën kundër organizatave terroriste, përfshirë PKK-në dhe FETO-n.

 

Akar foli edhe në lidhje me marrëveshjen për korridorin e drithit në Detin e Zi, e cila pritet të skadojë më 18 mars, duke thënë se Ankaraja shpreson për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje.

 

“Të dyja palët (Rusia dhe Ukraina) kanë një qëndrim pozitiv dhe ne besojmë se ajo (marrëveshja) do të zgjatet”, tha Akar.

 

Ai përsëriti përpjekjet e Türkiyes për të siguruar që marrëveshja historike e Istanbulit të vazhdohet së zbatuari dhe tha se gati 24 milionë tonë drithë u janë dërguar nevojtarëve nëpërmjet marrëveshjes.

 

Korrikun e kaluar, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

 

Falë përpjekjeve turke, marrëveshja e drithit u zgjat për 120 ditë duke filluar nga 19 nëntori.