Pasagjerët në Gjermani do të duhet të përgatiten për vonesa të konsiderueshme apo edhe anulime të fluturimeve, për shkak të grevave të stafit të aeroporteve.

 

 

Sipas sindikatës së punëtorëve, Verdi, aeroporti i Berlinit dhe aeroportet e Hamburgut dhe Bremenit do të jenë në grevë gjithë ditën e sotme. Kjo grevë pritet të ndikojë edhe në aeroportet tjera.

 

Aeroportet u kanë bërë thirrje udhëtarëve që të kontaktojnë kompanitë e tyre për të kuptuar më shumë për fluturimet. Në Hamburg mendohet se 2.000 punëtorë do të jenë pjesë e grevës.

 

 

Pak javë më parë shtatë aeroporte të mëdha gjermane u bllokuan pasi qindra personel të ekuipazheve dolën në grevë për shkak të pagave.

 

Avionët u ndaluan në Frankfurt, Mynih, Stuttgart, Bremen, Hamburg, Hanover dhe Dortmund. Më shumë se 2,300 fluturime nuk u zhvilluan, të cilat prekën 300,000 pasagjerë, që prisnin të udhëtonin.

 

Në aeroporte pasagjerët janë detyruar të përballen me problematikat, të cilat krijuan kaos dhe pakënaqësi. Kjo grevë nisi direkt pas fillimit të mbledhjes së liderëve botërorë dhe ekspertëve të mbrojtjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih më 17 shkurt.

 

Verën e kaluar, Gjermania u përball me të njëjtën situatë, aty ku mungesat e stafit sollën kaos në aeroporte pasi fluturimet u vonuan dhe anuluan, ndërsa udhëtarët pritën në radhë për orë të tëra.