Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen me Malin e Zi për ndërtimin e Urës së Bunës, e cila do të lidhë dy vendet.

 

Ndërtimi i Urës së Bunës u ra dakord në mbledhjen e dy qeverive që u mbajt më 27 shkurt, në Mal të Zi.

 

Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në një prononcim për mediet, se, projekti parashikohet të kushtojë rreth 1.5 miliardë lekë dhe do të ndahet nga dy qeveritë.

 

“Dy vendet kanë një vijë bregdetare afërsisht 24 km dhe vizitorëve iu duhet të përshkruajnë 73 km, ose 1.5 orë me mjete sepse duhet të kalojnë përmes Pikës së Kalimit Kufitar Murriqan. Ndërkohë që me ndërtimin e Urës së Bunës prej 310 m, kjo distancë shkurtohet në 2 minuta”, tha Balluku.

 

Sipas zv/kryeministres Balluku, të dhënat flasin për 360 mijë turistë shqiptarë që vizitojnë Malin e Zi dhe rreth 170 mijë qytetarë nga Mali i Zi që vizitojnë Shqipërinë.

 

Balluku informoi po ashtu se, ka nisur puna për hartimin e projektit që do të kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.