Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun dhe kryesuesja e listës së këshilltarëve për bashkinë e Tiranës, Silva Caka deklaroi sot se, “Erion Veliaj nuk është në krye të bashkisë për punët e qytetarëve, por për interesat e tij”.
Në një deklaratë për mediet, Caka tha se, “Veliaj flet për shkollat dhe për çerdhet që nuk përmbushin kapacitetin, nevojat e popullatës, shkolla që ka 4 vite për t’u rikonstruktuar, shkolla që nuk janë hedhur ende themelet”.
“Erion fasada ka dalë përsëri sot me kasetën e radhës, të bëjë gjoja sikur ka investuar në çerdhe dhe kopshte në Tiranë. Për cilat kopshte dhe çerdhe flet Erion fasada? Për ato që nuk kanë kapacitetet që përmbushin nevojat e popullsisë në Tiranë? Për ato që kanë nga 40 – 50 fëmijë në një grup? Për ato ku një numër i madh fëmijësh duhet të përballohen nga 2 edukatore, duke e bërë të pamundur procesin e mësimdhënies dhe nxënies, pavarësisht dëshirës dhe aftësive të edukatoreve?”, tha Caka.
“Me buxhetin e Bashkisë së Tiranës, 350 milionë Euro çdo vit, një administrator i mirë, i ndershëm, transparent dhe llogaridhënës ndaj atyre që e kanë zgjedhur, do të bënte mrekulli për fëmijët tanë; Erioni nuk e bën dot, sepse Erioni nuk është në krye të asaj bashkie për ne, për qytetarët, por për interesat e tij”, theksoi ajo.