Në shkollat klasike të vendit do të hapen klasa të arsimit të orientuar për nxënës me talente të veçanta.

 

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, pas mbledhjes së qeverisë në një prononcim për mediet, teksa foli për disa ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar.

 

“Një ndryshim tjetër në këtë ligj lidhet me shkollat e arsimit të orientuar. Ne sot nuk kemi shkolla artistike në të gjithë vendin, por ne duam t’i japim të drejtën të gjithë fëmijëve që kanë talente në një fushë të caktuar të arsimohen në atë disiplinë në të cilën kanë prirje. Në këtë mënyrë ne do të hapim klasa të arsimit të orientuar edhe në shkollat klasike, sipas nevojave që kanë”, tha Kushi.

 

Ministrja theksoi se, “shkollat e orientuara do t’i kthejmë në shkolla që do të marrin statusin shkolla kombëtare, për t’i rikthyer Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe shumë shkollave të tjera, kryesisht artistike, shkëlqimin e dikurshëm, duke i dhënë më shumë autonomi dhe në përzgjedhjen e nxënësve, mësuesve dhe projekteve që kanë. Do ta fillojmë me Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe me shkollën e Baletit dhe më pas dhe me shkollat e tjera artistike që kemi në qytete të ndryshme. Ndryshimi për të hapur klasa artistike në shkollat klasike ka qenë gjithmonë një nevojë që na vinte sidomos nga qytetet e vogla ku nuk ka pasur shkolla të tilla”.

 

“Së fundimi ne në çdo zyrë arsimore vendore në çdo bashki të vendit do të kemi një strukturë të mësuesve në dispozicion. Kjo ka qenë një përvojë e para shumë vitesh që duhet të rikthehet dhe e kemi parë shumë të nevojshme. Në shumë raste kur një mësues mungon procedurat që zhvillohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” marrin kohë dhe nxënësit dhe shkollat janë të detyruar të bëjnë orë pushim deri sa të vij mësues zëvëndësues. Ndërkohë ne do të kemi këtë strukturë të mësuesve në dispozicion që janë me kontratë të përhershme jo të përkohshme, janë gjithmonë aty në bazë të nevojave ku ka mungesa”, tha Kushi./ATSH