Pentagoni ka bërë të ditur se një avion luftarak rus ‘SU-27’ është përplasur me një dron amerikan ‘MQ-9 Reaper’ në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi, duke shkaktuar rrëzimin e dronit amerikan.

Incidenti ndodhi pasi avioni rus po kryente një “përgjim të pasigurt dhe jo profesional” të dronit amerikan, përfshirë hedhjen e lëndëve djegëse mbi dronin dhe fluturimin para tij në një “mënyrë të pamatur, të pasigurt dhe jo profesional”.

 

Komanda Evropiane e SHBA-së tha se incidenti “dëshmon mungesë kompetence përveç të qenit i pasigurt dhe jo profesional”.

 

“Avioni ynë ‘MQ-9’ po kryente operacione rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare kur u kap dhe u godit nga një avion rus, duke rezultuar në një përplasje dhe humbje të plotë të avionit ‘MQ-9’”, tha James B. Hecker, komandanti i Forcave Ajrore të SHBA-së për Evropën.

 

Siç tha ai, “ky akt i pasigurt dhe jo profesional nga rusët gati shkaktoi rrëzimin e dy avionëve”.

 

“Avionët e SHBA-së dhe të aleatëve do të vazhdojnë të operojnë në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe u bëjmë thirrje ruëve të sillen në mënyrë profesionale dhe të sigurt”, theksoi Hecker.

 

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Joe Biden, është informuar për këtë çështje nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

 

Pentagoni tha se incidenti është pjesë e një modeli më të gjerë të “veprimeve të rrezikshme nga pilotët rusë derisa ndër-veprojnë me avionët e SHBA-së dhe të aleatëve mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare”. Nga atje paralajmëruan se kjo rrezikon “llogaritje të gabuara dhe përshkallëzim të pa qëllimshëm”./AA