Nga tatimi mbi të ardhurat personale gjatë vitit 2022 u arkëtuan 45 miliardë lekë në buxhet.

 

Referuar statistikave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat nga ky zë rezultuan 5.7 miliardë lekë më shumë se në vitin 2021, ose 14.4% më shumë se në 2021, si dhe 2 miliard ose 4.3% më pak se plani për 2022.

 

Ndikim në rritjen e nivelit të arkëtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale pati detyrimi i të dypunësuarve për plotësimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave, që kryhet brenda 4-mujorit të parë të vitit, si dhe aksioni i qeverisë për korrigjimin e pagave.

 

Gjithsej 82,178 individë duhej të bënin deklarimin e të ardhurave personale deri në datën 30 prill 2022.

 

Edhe Njësia Speciale Antiinformalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet, e ngritur pak kohë më parë me urdhër të Kryeministrit, dha rezultate pozitive sa i përket reagimit të tatimpaguesve kundrejt reflektimit të pagave reale të punonjësve të tyre.

 

Mbi 25 % e të punësuarve kapërcyen nga niveli i pagës minimale, në një nivel më të lartë, që do të thotë se, ata nuk merrnin në fakt pagën minimale të deklaruar, por merrnin më shumë.

 

Ndërkohë, qeveria ka çuar në parlament për diskutim ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të cilat synojnë të zgjidhin problematikën e krijuar me shmangien e tatimit mbi pagën, ku shumë profesionistë regjistrohen si të vetëpunësuar, duke përfituar normë tatimi mbi të ardhurat në nivel 0 %.

 

Nga ana tjetër qeveria ka miratuar edhe ndryshime në ligjin”Për tatimin mbi të ardhurat”, sipas të cilave pagat deri në 50 mijë lekë do të përjashtohen nga çdo lloj tatimi. Pr/ligji ka mbërritur në Kuvend për diskutim.