Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë në muajin janar të këtij viti.

 

Banka e Shqipërisë bëri të ditur sot se, ky tregues preku nivelin 5.1%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporti i kredive me probleme shënoi rënie, me 0.35 %.

 

Sipas BSH-së, rritja e raportit të kredisë me probleme gjatë muajit janar, i adresohet më së shumti zvogëlimit të portofolit total të kredisë së sektorit bankar, që shënoi një tkurrje me dy miliardë lekë, në janar të vitit 2023.

 

Raporti i kredive me probleme në ekonominë shqiptare ka ardhur në rënie të vazhdueshme që prej vitit 2016 dhe aktualisht ndodhet pranë niveleve më të ulëta në katërmbëdhjetë vitet e fundit. Ulja e këtij raporti u mbështet fillimisht te pastrimi i portofoleve nga kreditë e humbura dhe më tej te rimëkëmbja dhe konsolidimi i sektorit bankar, që ndikuan në ritmet më të larta të kreditimit gjatë viteve në vazhdim./ATSH