Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat zhvilloi sot konsultime me përfaqësues të grupeve të interesit mbi projektligjin “Për fondet e pensioneve private”.

 

Një ndër ekspertët më të vjetër në fushën e pensioneve, Naim Hasa vlerësoi se, projektligji synon zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension, ndërsa paraqiti dhe kërkesa për përmirësim të tij.

 

“Mendoj se është një projektligj më i pranueshëm për kohën, pasi reflekton edhe praktikat që nga viti 2006, me krijimin e fondeve private vullnetare të pensioneve, i bën më të interesuar palët pjesëmarrëse në një fond privat pensioni, nëpërmjet një sistemi fiskal të pranueshëm, më i azhornuar edhe me dispozitat ndërkombëtare duke bërë që kuadri ligjor të jetë i pranueshëm edhe në kuadër të integrimit. Nga pikëpamja strukturore, mendoj se ligji është më i plotë, duke funksionuar, jo vetëm fondet e pensioneve private me pjesëmarrje të hapur, por edhe me pjesëmarrje të mbyllur, pra fondet e pensioneve profesionale. Njëkohësisht i jep zgjidhje edhe zbatimit të ligjit “Për sigurimet suplementare të pensioneve të vështira” që ende nuk ka gjetur zbatimi, sidomos për ata nën 48 vjeç. Mendoj se ligji i jep zgjidhje kësaj kategorie punonjësish të minierave, naftës, metalurgjisë etj”, tha Hasa.

 

Hasa tha se, duhet hequr çdo tatim mbi pensionet dhe sanksionuar me ligj lejimin e të drejtës së tërheqjes se masës së pensionit vullnetar në disa raste, si ai sëmundjeve.

 

“E ndjej si detyrim moral ngritjen e disa çështjeve për të orientuar më drejtë në marrjen e vendimeve të këtij organi. Siç dihet në praktikën botërore, filozofia është që pensionet nuk tatohen. Mbi këtë filozofi është ndërtuar edhe kuadri ligjor i sistemit të sigurimeve shoqërore që prej 1973-shit. Në vitin 2009 u vendos tatimi 15 % duke paralizuar tregun. Unë mendoj se pensionet të mos tatohen. Sa i përket mënyrës së tërheqjes së pensioneve në ligjin e mëparshëm përcaktohej se, ke të drejtë t’i tërheqësh në mënyrë të menjëhershme ose periodike. Kështu është edhe në të gjitha praktikat ndërkombëtare. Mendoj se, janë bërë disa kufizime dhe është një prekje e të drejtave të fituara më parë. Këto të drejta nuk duhen prekur në këtë draftligj. Në ligjin e mëparshëm “Për pensionet private” ishte parashikuar që pensionisti ka të drejtë të tërheqjes së mëparshme vetëm në rastet kur ndërron shtetësi ose në raste invaliditeti apo sëmundjeje. Për rastet e tjera duhet të tërhiqet në momentin e daljes në pension, për të mos denatyruar filozofinë e pensionit. Mendoj se duhet ti përmbahemi këtij parimi”, tha Hasa.

 

Tregu i fondeve të pensioneve private, edhe pse me peshë modeste ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, gjatë vitit 2022 shënoi rritje prej 24.3 % krahasuar me vitin 2021, duke arritur një total asetesh neto prej 5.7 miliardë lekë.

 

Asetet e këtij tregu janë investuar kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare.

Me qëllim përafrimin me Direktivën Evropiane IORP II, standardet më të mira ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e bazës ligjore që rregullon tregun e fondeve të pensionit privat, Autoriteti ka hartuar projektligjin “Për fondet e pensionit privat”.

 

Projektligji synon të sjellë zhvillimin e tregut të fondeve të pensionit privat nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes në skemë; sigurimin e një pensioni shtesë, i cili plotëson pensionin bazë të siguruar nëpërmjet skemës publike të pensioneve; vendime të mirinformuara të individëve lidhur me mbledhjen e kursimeve të tyre për pension; mundësi të reja për punëdhënësit lidhur me krijimin e skemave private për punonjësit e tyre; rritjen e cilësisë së produktit dhe shërbimit ndaj klientit nëpërmjet miradministrimit të fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese; nxitjen e konkurrencës në shërbim të interesit më të mirë për anëtarët e fondit.

 

Ligji në fuqi nuk krijon elemente konkurruese që lidhen me negocimin e tarifave të administrimit apo politikave të investimit. Ky problem adresohet në projektligjin e propozuar nëpërmjet krijimit të fondit me pjesëmarrje të mbyllur, ku punëdhënësit mund të negociojnë disa prej elementeve të kontratës me shoqëritë administruese (tarifa administrimi, politika investimi etj.). Në këtë mënyrë, punëdhënësit janë më të prirur për të krijuar skema private për punonjësit e tyre, duke çuar në rritjen e pjesëmarrjes në fondet private të pensionit./ATSH