Mbrëmjen e djeshme, në studion e emisionit “Opinion” u fol për shëndetin mendor.

 

I ftuar ishte aktori i njohur i “Klanifornia”, Albano Bogdo, i cili tregoi eksperiencën e tij. Ai u shpreh se ka vuajtur nga ankthi në adoleshencë, por mjekët në Sarandë, atje ku është rritur, nuk e identifikonin dot se çfarë kishte.

 

Më pas, Bogdo tregoi se erdhi në Tiranë ku vuante nga sulmet e panikut. Ai tregoi se në disa shfaqje nuk ka marrë pjesë si pasojë e panikut.

 

 

“Unë kam vuajtur nga ankthi që në adoleshencën e hershme. Nuk e di, kisha ankth pa shkak, duke ndenjur në mësim ose në shtëpi. Më rriteshin të rrahurat e zemrës, mbushesha me djersë të ftohta. Më dukej sikur do vdisja. Nga mosdija si unë, si doktorët që kanë qenë në Sarandë, shkonim në spitale më bënin analiza zemre, tiroide. Më çonin në qorrsokak se nuk dinin çfarë të thonin. Më masnin të rrahurat e zemrës se i kisha 140-150 më thonin s’janë normale. Kur erdha në Tiranë prapë e njëjta gjë. Sëmuresha, shkoja tek doktori i zemrës. Derisa një ditë më çuan me zor në një psikolog. Me zor në kuptimin që i thosha nuk kam gjë nga mendja, e kam te zemra. Nuk kishte lidhje me turpin. Fola me atë psikologen ishte femër, më bëri më keq. Më dha ca kështu bimore… Unë në këtë kohë kisha kaluar në çrregullime paniku. Nuk kisha më ankth. Kishte filluar të më zinte paniku, bëhesha shumë keq. Punoja tek Apartamenti 2XL atëherë, 3-4 herë kam ikur nga shfaqja sa do fillonte shfaqja. Sa më anonçohej emri, unë isha Albano Bogdo, unë nuk dilja në skenë, dilja nga godina, ikja fare, ikja në spital. Aq shumë keq bëhesha. Shkoja në spital, i kisha të rrahurat e zemrës 160-170. Tensionin shumë të lartë. Vazhdonin prapë më vizitonin për zemrën… Nga  zemra s’kam asgjë”, tha Bogdo.

 

Albano Bogdo u shpreh se sëmundjen ia zbuloi një farmaciste. Pas kësaj, tha se ka shkuar menjëherë për t’u vizituar, ku psikiatria i ka thënë se nga çfarë sëmundje vuante.

 

“Një farmaciste. Kam qenë në shtëpi, ka qenë verë. Një farmaciste padashje sepse kishte të bijën që vuante të njëjtën gjë. Më tha, ti ke panik, duhet të shkosh në një psikiatër. I kam hipur taksisë menjëherë, kam shkuar tek “Pesa”, nuk e vrisja mendjen. Kam qenë aq keq saqë nuk e vrisja mendjen. Le të thonin jo është i çmendur… Psikiatria më dha një kokërr sa të qetësohesha për atë natë. U qetësova, u vizitova. Mu duk sikur u shërova nja 3 muaj. Vazhdoi prapë, të rikthehet”, tha Bogdo.