Në interpelancën e thirrur sot në seancën plenare në Kuvend nga deputetja e opozitës, Ina Zhupa, ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se, do i jetë falënderuese kujtdo që vë kulturën në qendrën e vëmendjes.

 

“Sot jam thirrur për trashëgiminë kulturore, i cili është një nga sektorët ku kemi punuar më fort dhe kemi pasur rezultate. Kemi vite që krahasohemi me veten pasi nuk mund të krahasohemi më me vitin 1913”, deklaroi Margariti nga foltorja e Kuvendit.

 

Ministrja e Kulturës kujtoi një sërë projektesh në vazhdim, por edhe të përfunduara, të cilat tashmë i shërbejnë gjithë komunitetit për të kaluar fundjava në Korçë, në sokaket e Gjirokastrës e Krujës, apo mbrëmjet me miqtë në Pazarin e Ri të Tiranës.

 

Ministrja kujtoi se, këto e të tjera qendra historike dikur kanë qenë zona në zemër të qyteteve, por zona të shëmtuara me pisllëk që nuk iu bënin përshtypje drejtuesve të dikurshëm, të cilit kishin lejuar të mbizotëronin kioskat.

 

“Shqiptarët i besuan Bonusit të Rijetësimit, pasi kanë parë punën e bërë në Trashëgiminë Kulturore, pasi trashëgimia është mënyrë e re jetese e zhvillimi ekonomik”, tha Margariti. Në Tiranë dhe Durrës numërohen 318 monumente kulture, dhe vetëm në vitet 2019-2022, me fonde të buxhetit të shtetit e donatorëve kanë përfunduar restaurimet në 20 të tilla.

 

“2013-ta nuk e shikonte kulturën si prioritet qeverisës, por vetëm si ornament që zinte një vend në buxhet”, tha ministrja e Kulturës dhe më pas renditi një sërë objektesh që aktualisht janë të kthyera në kantiere restaurimesh, duke nisur me ndërtesën e ish-të përndjekurve dhe aneksin e Bibliotekës Kombëtare që gjenden shumë pranë parlamentit.

 

Sa i përket Teatrit Kombëtar, ministrja iu përgjigj akuzave të opozitës duke thënë se, “godina nuk ka qenë ndonjëherë monument kulture, as në kohën tonë dhe as tuajën, madje as para viteve `90”.

 

Pasi njoftoi se, sot do të perurohet Kulla Veneciane në Durrës, ministrja përfundoi fjalën e saj duke ftuar opozitën të lexojë më me kujdes planin e menaxhimit pasi tha ajo, “koncesionet jetojnë vetëm në kokën tuaj”./ATSH