Koreja Veriore tha të premten se ka lëshuar qëllimisht një raketë balistike ndërkontinentale për të “trembur armiqtë”, teksa Koreja Jugore dhe Japonia, gjatë një samiti të përbashkët, u pajtuan të punojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sigurinë rajonale.

 

Raketa e Koresë Veriore u lëshua të enjten në mëngjes, disa orë para se presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol të takonte kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida në një samit që kishte si qëllim rikthimin e lidhjeve të sigurisë, përballë të kërcënimeve bërthamore nga Koreja Veriore.

 

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden po përpiqet të forcojë aleancat e saja në Azi, për të kundërshtuar kërcënimin bërthamor të Koresë Veriore, dhe ndikimin në rritje të Kinës.

 

Një nga këto përpjekje është të përmirësojë lidhjet Kore e Jugut – Japoni, që janë ftohur viteve të fundit për shkak të çështjeve historike.

 

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut tha se lideri Kim Jong Un mbikëqyri testimin e raketës Hwasong-17 dhe theksoi nevojën për të “trembur armiqtë” mbi atë që e quajti “armiqësinë e hapur të treguar ndaj vendit të tij nga stërvitjet ushtarake SHBA-Kore e Jugut”.

 

Shumë ekspertë thonë se Koreja Veriore përdor stërvitjet e rivalëve të saj si një pretekst për të zgjeruar në mënyrë agresive arsenalin e saj bërthamor dhe aftësinë e përgjithshme ushtarake.

 

Ata thonë se vendi synon të detyrojë SHBA-në të pranojë statusin e tyre si një fuqi bërthamore dhe të negociojë përfundimin e sanksioneve ndaj tij nga një pozicion fuqie.

 

Koreja Veriore, vitin e kaluar ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore. Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

 

Pheniani zyrtar ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.

 

Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes./REL