Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ditën e djeshme disa ndryshime në Kodin Rrugor, në veçanti për sa i përket rinovimit të patentave, për drejtuesit e të gjitha kategorive të automjeteve.

 

Sot edhe vetë kryeministri Edi Rama i ka postuar ndryshimet në profilin e tij.

 

Një nga ndryshimet më të rëndësishme, do të jetë ai për zgjatjen e vlefshmërisë së patentave AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE deri në 15 vite. Për këto kategori të caktuara, që përfshijnë pjesën më të madhe të automjeteve dhe motoçikletave, rinovimi do të bëhet çdo 15 vite, nga 10 vitet e sotme, deri në mbushjen e 70 vjetorit.  

 

Pas kësaj moshe, konfirmimi bëhet pas dorëzimit të certifikatës mjekësore, ndërkohë që kjo praktikë kryej çdo 3 vjet më parë.  

 

Ndryshime ka edhe për patentat C, që përfshijnë kamionët, ku rritet mosha deri në 70 vjeç, deri në 20 ton peshë.

 

Për më shumë, theksohet se qytetarëve të cilëve iu është anuluar leja e drejtimit shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit, mund të rimarrin lejen e drejtimit shqiptare pa testim, edhe nëse ka skaduar leja e drejtimit e huaj, pasi e dorëzojnë këtë të fundit dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.