Ernejt Shyti, autori i vrasjes së Behar Sofisë në 21 shkurt 2021 në Tiranë, i cili është edhe i penduari  i drejtësisë ka dhënë një dëshmi tronditëse në gjyqin e themelit që vijon në Gjykatën e Posaçme. 24-vjeçari Shyti ka deklaruar se të njëjtët persona që e kishin porositur për të eliminuar Behar Sofinë i kishin thënë se do të kryente një tjetër vrasje në Gjermani. Sipas tij, ai do të vriste një 34-vjeçar që shtëpinë e kishte në cep të rrugës, emrin e të cilit nuk e bënë publik dhe për këtë do të paguhej për një shumë prej 500 mijë euro.

Shyti në seancë nuk ka dhënë detaje të tjera për këtë porosi, duke mos treguar nëse ky person është apo jo shtetas shqiptar që jeton në Gjermani. Më tej, Në pjesën tjetër të seancës gjyqësore, Shyti rrëfeu edhe njëherë, dinamikën e ngjarjes ku mbeti i vrarë Behar Sofia. Pasi mori porosinë, Shyti bashkë me Xhuliano Vishën edhe ky i arrestuar, shkuan në pyll e Krrabës, për të mësuar të qëllonin me pistoletë TT. Por çuditërisht i riu e vazhdon rrëfimin, duke thënë se shtinë vetëm dy herë, dhe gëzhojat i fshehën në pyll.

Më pas miku i tij Visha i dha një “iPhone” me të cilin do të fliste në aplikacionin “Sky” me një tip që quhej “Lleshi”, i cili rezulton Leonard Xhixha, të cilin disa ditë më pas e takoi personalisht tek Sanatoriumi.

Pas Lleshit, një burrë që e thërrisnin “Daja”, Skënder Vathi dhe një djal i ri, edhe këta në burg, i vihen në ndihmë Shytit, për të ekzekutuar Sofinë, të cilin e vëzhguan 20 ditë. Për këto ditë ekzekutori thotë se mori vetëm 90 mijë lekë të vjetra, kurse 50 milionët të cilat do ti merrte menjëherë pas vrasje tek Liqeni i Tiranë, nuk ia dhanë kurrë. Personat që do e paguanin nuk ishin në vendin e takimit.

Dy javë më vonë Ernejt Shyti u kap në Mal të Zi, pas tij u arrestuan edhe Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, 30 vjeç, Xhuljano Visha, 28 vjeç, si dhe Bujar Leza. Jemin Shera dyshohet se ka qenë personi kyç që ka bërë porosinë e vrasjes së 66-vjeçarit. 66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si "padron droge", u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë.

Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.