Kabineti italian miratoi dje një dekret për rinisjen e një projekti të ëndërruar prej kohësh për të ndërtuar një urë 3 200 metra të gjatë që lidh ishullin jugor të Siçilisë me kontinentin.

 

“Dekreti paraqet dispozita urgjente për ndërtimin e një ure solide midis Siçilisë dhe Kalabrisë”, thuhet në një deklaratë për shtyp të qeverisë.

 

Qëllimi i dekretit është të lejojë rifillimin e planeve për ndërtimin e urës, e cila do të lidhë qytetin siçilian të Mesinës me Kalabrinë, maja e gadishullit italian.

 

“Parlamenti ka dy muaj kohë për ta kthyer dekretin në ligj. Sipas planit, projekti ekzekutiv pritet të miratohet deri më 31 korrik 2024, ndërsa ndërtimi do të fillojë deri në fund të vitit”, sipas medias lokale.

 

“Pas 50 vitesh bisedime, ky kabinet miraton ndërtimin e urës që lidh Siçilinë me pjesën tjetër të Italisë dhe Europës”, tha ministri i Transportit Matteo Salvini.

 

Më shumë se 2000 vjet më parë romakët e lashtë ndërtuan një urë përgjatë zonës së ngushtë të ujit me Mesinën, por një stuhi shkatërroi planet e tyre.

 

Qeveri të ndryshme italiane kanë diskutuar projektin “Il Ponte sullo stretto” prej dekadash.

 

Kohët e fundit, në vitet 2000, qeveria e kryeministrit të atëhershëm Silvio Berlusconi, partia e të cilit “Forza Italia” është pjesë e koalicionit qeverisës, kishte mbështetur planin për ndërtimin e urës. Në atë kohë plani ishte që ndërtimi të fillonte në vitin 2006 dhe të përfundonte deri në vitin 2012.

 

Ura do të jetë gati tre herë më e gjatë se Ura “Golden Gate” në San Francisko dhe mbi 1000 metra më e gjatë se ura “Akashi Kaikyo” në Japoni, e cila aktualisht mban titullin e urës më të gjatë në botë./ATSH