Këshilli i Ministrave vendosi sot mbylljen e veprimtarisë së kolegjit universitar “Wisdom”, i cili e ka ushtruar veprimtarinë në qytetin e Tiranës.

Sipas vendimit, Kolegji universitar “Wisdom” duhet të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara.

Po ashtu, ka detyrimin të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe të vendosë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Kolegji detyrohet të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit.

Ashtu sikurse detyrohet të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Kolegjit do t’i duhet të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, të parashikuara në këtë vendim.

Njëkohësisht të vendosë në dispozicion personel akademik dhe administrativ të nevojshëm deri në përfundimin e procesit për mbylljen e tij, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.

Vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20.11.2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom”, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.

Prokuroria e Tiranës mbi bazën e kallëzimit të shtetasit S.C në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Wisdom”, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shkollore” parashikuar nga Kodi Penal”, një javë më parë./ata