Nisur nga situata e mbrëmjes së 24 shtatorit në Shkodër kur nga shirat e dendur rrugët e qytetit dhe shumë shtëpi u përmbytën, në mëngjes, drejtues dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefekturës së Shkodrës dhe kolegë të Mbrojtjes Civile nga 9 vende të Europës e nisën me një minutë heshtje në kujtim të Lekndreajt, Konferencën e Dytë Planifikuese të stërvitjes së përbashkët “FloodNorthALB”, e cila po mbahet pikërisht në Shkodër.

51-vjeçari Nikollë Lekndreaj, nga fshati Bardhaj, punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër po kthehej me një motoçikletë në shtëpi, kur, si pasojë e kohës së keqe, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal të tejmbushur me ujë, duke humbur jetën.

Drejtori i Përgjithshëm i AKMC, Haki Çako, theksoi në hyrje të kësaj konference rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj fatkeqësive natyrore.

“Stërvitja e madhe, me pjesëmarrjen e shumë vendeve të Ballkanit dhe BE-së, do të jetë një mundësi e mirë për ne që të testojmë dhe përmirësojmë kapacitetet dhe aftësitë tona në reagimin ndaj fatkeqësive natyrore,” – theksoi Çako. Ai e konsideroi të rëndësishëm bashkëpunimin me qytetarët dhe institucionet për të pasur një reagim më të shpejtë në raste fatkeqësish, me qëllim minimizimin e pasojave ekonomike dhe njerëzore.

E pranishme në këtë konferencë, prefektja e Qarkut Shkodër,  Majlinda Angoni, tha se fatkeqësitë natyrore nuk njohin kufij dhe kombësi; ato godasin njësoj kudo e këdo. Ndaj, reagimi në bashkëpunim dhe koordinim i shteteve dhe strukturave të tyre të mbrojtjes civile është një mënyrë shumë efikase për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore.

Në vijim të konferencës, përfaqësues të agjencive nga vendet e rajonit ndanë përvojat e tyre në menaxhimin dhe reagimin ndaj rasteve të fatkeqësive natyrore, veçanërisht përmbytjeve.

“FloodNorthALB” është një projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian, përmes mekanizmit të mbrojtjes civile, për të demonstruar skenarët e reagimit në rastet e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. Ky është një shembull karakteristik i zonës së ndjeshme ndaj rrezikut të përmbytjeve të mëdha dhe të përsëritura, me një sistem kompleks për t’u përballuar. Në kushtet kur klima po ndryshon dhe po bëhet edhe më agresive, qëllimi i projektit të stërvitjes “FloodNorthALB” është të përmirësojë gatishmërinë për mbrojtjen civile dhe aftësitë e reagimit të Shqipërisë në trajtimin e fatkeqësive të mëdha e komplekse që kërkojnë koordinim të përbashkët të reagimit, të lehtësuar nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian.

Kjo është konferenca e dytë planifikuese e stërvitjes finale që do të zhvillohet në pranverën e vitit 2025, në zonat që preken më shumë nga përmbytjet, si Obot, Oblikë, Dajç etj./ata