Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen në ngarkim të deputetit të PD, Ervin Salianji. Në fjalën e tij për mediat, ligjvënësi demokrat tha se është i pari opozitar i burgosur politik në 34 vite.

Dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë, Salianji e lidhi me fushatën elektorale që po afron. Deputeti demokrat tha se pavarësisht nga dënimi ai do të bëjë “një fushatë të jashtëzakonshme”.

Ai paralajmëroi se vendimi i dhënë këtë të enjte, 26 shtator, do të ankimohet nga avokatët mbrojtës.

“Do të marrim të gjitha masat për shkallët e mëtejshme. Do të jem në dispozicion e do ta bëj me qef e kur të duan këta. E gjitha kjo bëhet para zgjedhjeve. Jam në dispozicion dhe në përballje me bandat. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh. Do ta bëj nga burgu”, u shpreh ai./BalkanWeb