Partia Demokratike do të mbajë mbledhje urgjente në seli në këto momente, pas vendimit që u mor pak më parë nga Gjykata e Apelit për deputetin Ervin Salianji. Selia blu pritet të dalë me një qëndrim orët në vijim, pas dënimit të deputetit demokrat me 1 vit burg.

Mësohet se mbledhja është thirrur nga kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi dhe pjesë e takimit në selinë e PD do të jetë i gjithë grupi.

Deputeti demokrat, Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit e cila la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, për kallëzim të rremë në çështjen “Babalja”.

Pas vendimit të Apelit, reagimi i parë nga selia blu erdhi nga deputetja Dhurata Çupi e cila tha se e sotmja është një ditë e keqe. Sipas saj, dënimi i Salianjit është hakmarrje politike nga mazhoranca, njësoj si arrestimi i kryetarit të PD, Sali Berisha.

“Sot është një ditë e keqe. Dënimi i deputetit Ervin Salianji, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së, nuk është një vendim i dhënë nga drejtësia, por nga qeveria që kontrollon segmente të rëndësishme në çdo institucion të drejtësisë! Hakmarrja politike për luftën e Ervin Salianjit kundër krimit të organizuar të lidhur me qeverinë është një këmbanë tjetër alarmi pas arrestimit politik të liderit të opozitës, Sali Berisha! Sot është dita që këtë dënim ta konsiderojmë si heqje e lirisë për secilin prej nesh! Na duhet të reagojmë, sepse nesër do të jetë vonë!”, u shpreh Çupi.

Pas vendimit nga Apeli, deputeti demokrat, Ervin Salianji tha se ai është politikani i parë në 34 vite që merr një dënim politik që, sipas tij, ka për qëllim ta pengojë atë gjatë fushatës elektoral të vitit të ardhshëm. Ai paralajmëroi se pavarësisht nga vendimi, nuk do të ndalet, por do të vazhdojë fushatën, qoftë edhe nga qelia.

“Kam një medalje e cila shndrit në të gjithë karrierën politike, jam i nderuar. E gjitha kjo bëhet para para zgjedhjeve. Bëhet për shkak të problematikave që këtë kanë. Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme, nuk jam i pari që bëj punë. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh. Do ta bëj fushatën edhe nga burgu”, theksoi Salianji.

Avokati mbrojtës i deputetit demokrat, Redi Ramaj u shpreh për News24 se do të ndiqen hapat e tjerë ligjorë./BalkanWeb