Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në takimin e thirrur në Kryesinë e Kuvendit nga kryeparlamentarja Spiropali me krerët e institucioneve të pavarura dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë, deklaroi se Kuvendi nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë vetë Kushtetuta.

“Kuvendi nuk ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka duke i garantuar një mbrojtje politike, Kuvendi nuk zbaton vendimet e gjyqësorit të cilat nuk duhet që të diskutohen, por duhet që të zbatohen”, tha ajo.

Zhupa theksoi se në vend ende nuk jepet drejtësia në kohë qytetarëve u duhet deri në 7 vite për të marrë një vendim gjyqësor.

Zhupa i ka quajtur të paprecedent sulmet që janë bërë ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Sulmi ndaj KLSH. E paprecedent ajo që ka ndodhur në Komisionin e Ekonomisë. Pengimi i KLSH për të raportuar në Kuvend është i paprecedent. I vetmi institucion që nuk ka ende të miratuar një rezolutë dhe nuk ka ardhur për raportim në seancë plenare. Presion politik”, tha ajo.

Më tej, theksoi se s’ka ndodhur kurrë që në institucionet e pavarura të mos ketë balancë.

“Të gjitha emërimet e Kuvendit janë bërë nga mazhoranca, pa asnjë diskutim dhe përfshirje të opozitës”, deklaroi ajo.

Ajo foli për politizim të administratës publike dhe shndërrim të saj në ushtri elektorale./ata