Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë portuale dhe detare, në datat 24 gusht deri më 26 shtator 2024, një ekip specialistësh të Rojes Bregdetare të SHBA, inspektuan zbatimin e masave të sigurisë në portet kryesore të vendit tonë.

Vizita e Rojes Bregdetare të Shteteve të Bashkuara në Portin e Durrësit u zhvillua në kuadër të zbatimit të programit ndërkombëtar të sigurisë portuale.

Qëllimi kryesor ishte vlerësimi i standardeve të sigurisë portuale dhe përputhshmëria me kërkesat ndërkombëtare.

Gjatë vizitës, ekspertët e Rojes Bregdetare shqyrtuan protokollet e sigurisë, infrastrukturën, dhe procedurat operative të Portit të Durrësit, me synimin për të forcuar bashkëpunimin në garantimin e sigurisë detare dhe përmirësimin e masave të sigurisë në porte të tjera strategjike.

Delegacioni amerikan u ndal gjithashtu në Portin e Durrësit, për të vlerësuar zbatimin e Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë në Anije dhe Facilitete Portuale (ISPS Code), masat e ndërmarra për parandalimin e incidenteve në territorin, basenin dhe radën e portit, parametrat e sigurisë në zonat kufitare për pasagjerët dhe mallrat, si dhe u njohën nga afër me strukturat e sigurisë portuale dhe administratës sonë detare.

Në takimet e zhvilluar me drejtues të Autoritetit Portual Durrës dhe Drejtorinë e Përgjithshme Detare, specialistët e SHBA shprehën mbështetjen e tyre për punën që po bën Shqipëria për zhvillimin e porteve dhe infrastrukturës logjistike, si dhe harmonizimin e standardeve të sigurisë detare sipas konventave dhe kodeve ndërkombëtare.

Kreu i APD-së, Kreshnik Bajraktari, i njohu ata me planet e zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës portuale në Durrës dhe Porto Romano duke nënvizuar se këto investimeve do të shoqërohen me përmirësimin e sistemeve të sigurisë portuale dhe rritjen e kapaciteteve të personelit portual falë programeve të dedikuara të Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare, krijuar rishtazi pranë Portit të Durrësit.

Në mbyllje të vizitës, palët dakordësuan një serë projektesh bashkëpunimi dhe asistence teknike, përfshirë sigurinë kibernetike, përmirësimin e procedurave doganore në zonat portuale dhe trajnimin e specialistëve shqiptarë të sigurisë portuale në SHBA përmes programeve të Rojes Bregdetare Amerikane./ata