Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato siguroi sot se BE do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit, ndërsa e cilësoi si thelbësor në këtë proces bashkëpunimin ndërparlamentar dhe ndërinstitucional.

Gjatë një takimi të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë me krerët e institucioneve të pavarura, Gonzato tha se negociatat do të konsistojnë në reforma thelbësore që do të sjellin Shqipërinë në standardet europiane në fusha të tilla si administrata publike, statistikat, prokurimet publike dhe kontrolli financiar.

“Mesazhi im i parë është të theksoj rëndësinë e Parlamentit, të institucioneve të pavarura në kontekstin e hyrjes në BE. Shqipëria ka hyrë në një fazë kritike në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe aktualisht janë duke punuar shumë shpejt për të hapur negociatat për klasterat thelbësore që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike gjyqësore, lirinë sigurinë dhe fusha të tjera thelbësore, të cilat janë pjesë e shtyllës kurrizore të të gjithë strukturës, si reforma në administratën publike, statistikat, prokurimet publike dhe kontrolli financiar. Dhe ky Parlamenti ka një rol kyç për të luajtur duke filluar me Komitetin e BE-së, i cili do të rishikojë nesër pozicionin e negociatave që do ti paraqiten Këshillit Europian. Në terma konkrete negociatat do të konsistojnë në reforma thelbësore që do të sjellin Shqipërinë në standard të gjitha këto fusha thelbësore”, deklaroi ai.

Shqipëria, vijoi ai, ka miratuar një udhrrëfyes ambicioz për administratën publike dhe është në funksionimin e institucioneve demokratike.

Sipas Gonzatos, këto dy udhërrëfyes kanë rrugë të qarta dhe reforma konkrete të synuara dhe shumica prej tyre mund të arrihen nëse ka një mobilizim të fuqishëm nga ana e Parlamentit dhe gjithashtu institucioneve të pavarura. Pra kjo është një përpjekje e gjithë shtetit.

Mesazhi i dytë, që përcolli ambasadori i BE-së, kishte të bënte me negociatat e suksesshme për hyrjen në BE që sipas tij, kërkojnë një dialog ndërparlamentar në Parlament dhe bashkëpunim institucional.

“Shpresoj që në Parlament integrimi europian do të konsiderohet nga të gjitha forcat politike si një prioritet kombëtar strategjik, së pari për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, deklaroi Gonzato.

Parlamenti, vijoi më tej, është qendra për të pasur dialogun konstruktiv, duke përfshirë edhe çështje të integrimit europian, por edhe të miratojë legjislacione dhe ndryshimet ligjore.

Nga ana tjetër, tha ai marrëdhëniet ndërinstitucionale duhet të jenë në respekt të plotë të Kushtetutës që ka të bëjë me kontrollin dhe balancën.

“Siç u përmend në raportin e fundit të zbatimit të shtetit të së drejtës, është shumë i rëndësishëm fokusimi i bashkëpunimit midis Parlamentit dhe institucioneve të pavarura dhe duhet të ketë diskutime të rregullta”, shtoi ambasadori.

Kjo, sipas tij, është shumë e rëndësishme, sepse Parlamenti ka një rol kyç apo edhe komisionet e e tjera.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ato dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik”, deklaroi Gonzato.

Për Reformën në Drejtësi, sipas Gonzatos, Parlamenti mund të luajë një rol kyç për mos kthimin pas të këtyre reformave për të konsoliduar më tej implementimin në harmoni me të gjithë detyrimet që Shqipëria ka në rrugën drejt BE-së. Dhe këto reforma, shtoi ai, shoqërohen dhe plotësohen nga përpjekjet për të parandaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në qeveri.

“Komisioni Antikorrupsion që keni themeluar është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim dhe gjithashtu duhet të hidhen dhe themelet për një sistem të pavarur dhe llogaridhënës, i cili të bazohet në integritet”, u shpreh ambasadori Gonzato./ata