Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ngriti sot shqetësimin për vështirësitë me të cilat përballen qytetarët shqiptarë për të siguruar barnat dhe shërbimet shëndetësore.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha shprehet se, 33% e shqiptarëve nuk ia dalin dot të blejnë ilaçet që nuk mbulohen nga skema e sigurimeve shëndetësore, ndërsa shumë barna që rimbursohen janë të cilësisë të dobët dhe nuk përfshijnë sëmundje me kosto të lartë të trajtimit.

“Sot shqiptarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë ilaçet e nevojshme për të kuruar sëmundjet e tyre e të pamundur të marrin shërbimin e nevojshëm shëndetësor. Shqipëria ka përqindjen më të madhe të njerëzve në rajon që përballen me vështirësi për blerjen e barnave dhe shërbimeve shëndetësore që nuk mbulohen nga skema e Sigurimeve Shëndetësore”, theksoi ai.

“33% e shqiptarëve nuk ia dalin dot të blejnë barnat që nuk mbulohen nga sekma e sigurimeve. Ndërkohë barnat që mbulohen nga skema e sigurive, janë të një cilësie të dobët dhe nuk mbulojnë shumë sëmundje ku kostoja e ilaçeve është e lartë”, nënvizoi Basha.

Basha e cilësoi këtë situatë pasojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit dhe akuzoi qeverinë se nuk tregon interes për shëndetin e qytetarëve.

Ai theksoi se, shqiptarët detyrohen të paguajnë nga xhepi 60% të kostove shëndetësore, një përqindje më e lartë në rajon.

Në përgjigje të kësaj krize, Basha sjell në vëmendje programin e Demokratëve Euroatlantikë, i cili garanton shërbim shëndetësor bazuar në nevojat e qytetarëve.

Sipas tij, me këtë program, çdo qytetar do të ketë akses të barabartë në spitale publike dhe private përmes kartës së shëndetit. Përmes nismës “mjekim sipas diagnozës”, do t’i jepet fund listës abuzive të rimbursimit të barnave dhe do të eliminohet abuzimi nga mafia e barnave./ata