Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takim me homologun e saj, ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard, me të cilin diskutuan përparimin në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për burgun e Kosovës, pas ratifikimit të traktatit mes dy shteteve.

Siç njofton Ministria e Drejtësisë, në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Danimarkë për dhënien me qira të Institucionit Korrektues në Gjilan me Qëllim të Ekzekutimit të Dënimeve Daneze, janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut në Gjilan dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili pritet të përfundojë brenda 18 muajsh.

“Projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili tashmë ka nënshkruar kontratën për hartimin e specifikave teknike. Gjatë kësaj periudhe, përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri, sipas nevojave të përcaktuara në marrëveshje”, bëri të ditur ministria.

Të dy ministrat theksuan rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Drejtues, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e plotë të marrëveshjes, duke siguruar përmbushjen e standardeve për menaxhimin e burgut dhe përkujdesjen ndaj të burgosurve.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, marrëveshja bashkëpunuese ndërmjet dy shteteve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit.

Të dy ministrat shprehën mirënjohje për njëri-tjetrin dhe ndaj ekipeve punuese, si dhe theksuan rëndësinë e implementimit të punëve sipas afateve të përcaktuara.

Pas takimit, ministrat vizituan Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, aty ku pasi të jetë gjithçka gati, do të vendosen deri 300 të dënuar nga Danimarka.

Marrëveshja Kosovë-Danimarkë, e cila do të vlejë për dhjetë vjet, ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro, u miratua në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit 2024.

Sipas marrëveshjes, Danimarka nuk do të dërgojë në Kosovë të burgosur të cilët janë të dënuar për vepra terroriste, për krime të luftës apo të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut. Po ashtu, parashihet që, të burgosurit, pasi ta kenë vuajtur dënimin, do të dëbohen nga Kosova.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20 për qind nga viti 2015./aa