Sipas një vendimi të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), rruga drejt anëtarësimit të Shqipërisë në bllokun evropian "do të shkëputet" nga ajo e Maqedonisë së Veriut, me mediat që raportojnë se grupet e para të negociatave do të hapen zyrtarisht më 15 tetor.

Rruga e dy vendeve fqinje drejt anëtarësimit në BE nisi bashkërisht me hapjen e negociatave zyrtare në verën e vitit 2022, por si pasojë e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është ndikuar edhe progresi i Shqipërisë.

Siç raporton media evropiane ‘Euractiv’, me bazë në Bruksel, një zëdhënës i përfaqësuesit të përhershëm të Bullgarisë në BE tha se rruga e pranimit të Tiranës në bllok do të ndahet nga ajo e Shkupit, duke shtuar se hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mesin e tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare dhe hapjes së ‘Klasterit 1 - Vlerat themelore’, që përfshin disa kapituj si prokurimin, statistikat, gjyqësorin dhe të drejtat e themelore, drejtësinë, lirinë dhe kontrollin financiar.

"Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështoi të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE", tha ‘Euractiv’.

Autoritet zyrtare të Shkupit dhe Tiranës deri më tani nuk janë prononcuar lidhur me raportin për ndarjen e rrugëtimit të tyre drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE që në vitin 2005, por për shkak të kundërshtimit të Greqisë që vendi të pranohet me emrin kushtetues u vonua procesi i integrimit të vendit në BE. Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, me çka vendi ndryshoi emrin kushtetues, Maqedonia e Veriut mbeti peng edhe nga fqinji i saj lindor, Bullgaria, me të cilën mbetet i pazgjidhur kontesti mbi historinë e përbashkët të dy vendeve.

Në prill të vitit 2022, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria do t'i kërkojë BE-së "nëse mund të ndjekë rrugën e saj të anëtarësimit ndaras" nga fqinji i saj Maqedonia e Veriut, e cila që atëherë vazhdon të përballet me veton bullgare. Ai tha se "Shqipëria nuk mund të presë derisa dy fqinjët të zgjidhin zënkën e tyre", duke shtuar se Shqipëria ka marrëdhënie të mira me të dy vendet.

 

- Vështirësitë e Shkupit në rrugën drejt anëtarësimit në BE

Pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë, fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në u bllokua nga vetoja bullgare fillimisht në nëntor të vitit 2020 për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën dhe historinë, pas çka në korrik të vitit 2022 Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet e propozimit francez, në atë kohë mbajtëse e presidencës së Këshillit të BE-së, duke i hapur rrugën procesit të vendit me BE-në.

Kjo përfshinte ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, respektivisht ndryshimin e Preambulës dhe përfshirjen e pakicës bullgare së bashku me pakicat e tjera të përmendura aktualisht në kushtetutë, por marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe konsensusit në Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se Shkupi duke tërhequr me vete edhe Tiranën e kanë parë procesin e tyre të pranimit të ngecur.

Partia në pushtet VMRO-DPMNE, në atë kohë në opozitë, votoi kundër konkluzioneve të propozimit francez, duke u arsyetuar se "protokolli përmban në mënyrë eksplicite kërkesat për bullgarizim" dhe se "tani kërkesat asimiluese bullgare për ndryshimin e teksteve shkollore, për ndryshimin e historisë janë bërë kusht për hyrjen në BE dhe derisa ato të përmbushen nuk mund të fillojnë negociatat".

Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, pasi fitoi zgjedhjet parlamentare në muajin maj, duket se mosmarrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë do të thellohet më tej, me zyrtarët e dy vendeve duke kundërshtuar kërkesat e njëra tjetrës.

Së fundmi, qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski kritikoi Sofjen me pretekstin se protokolli i presidentit bullgar nuk e vendosi flamurin e Maqedonisë së Veriut gjatë një vizite të fundit në Sofje të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.

Nga ana tjetër, sipas autoriteteve bullgare, vizita ishte jozyrtare, pasi Siljanovska-Davkova erdhi për të marrë pjesë në një shfaqje operistike dhe nuk kishte asnjë kërkesë protokolare për të shfaqur flamurin në këtë rast.

Megjithatë, kjo ngjarje po helmon marrëdhëniet dhe presidenti bullgar la të kuptohet se ky skandal ishte organizuar nga forca të fuqishme që nuk dëshironin që Maqedonia e Veriut të bëhej pjesë e BE-së./aa