Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që derdhën nga të punësuarit, për llogari të buxhetit të shtetit, po mbulojnë fondin e nevojshëm për indeksimin e pensioneve i cili llogaritet në 4.1 miliardë lekë dhe do të shpërndahet nga 1 tetori dhe në vijim.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në periudhën janar-gusht 2024, llogariten në 105 miliardë lekë,  një shifër kjo rekord e 10 viteve të fundit dhe me një kapërcim prej 10,7 miliardë lekësh në raport me 8 mujorin 2023 apo 11.3% më shumë.

Po ashtu edhe në raport me planin për këtë periudhë ka një rritje prej 1.1 miliardë lekësh.

Në muajin tetor pensionistët do të marrin më shumë para, pasi Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin e pensioneve me 4.1%. Nga ky vendim përfitojnë 791.257 përfitues të ndarë sipas disa kategorive, të moshuar, invalidë dhe familjarë si dhe ata që trajtohen nga programe të veçanta, ish ushtarakët, naftëtarët etj.

Po ashtu qeveria ka parashikuar se për shkak të perfomancës së mirë të të ardhurave, përveç bonusit të fundvitit prej 3.6 miliardë lekësh, të ketë dhe një bonus tjetër për këtë kategori.

Mirëadministrimi, politikat shtetërore dhe lufta ndaj informaliteti apo nëndeklarimit të pagave, duket se po kompenson disi edhe mungesën e fuqisë punëtore në vend.

Pagesa minimale për kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për individ është rreth 11 mijë lekë në muaj. Të ardhurat në skemën e pensioneve në vitin 2023 në total arritën në 134 miliardë lekë.

Aktualisht, me konsulencën e Bankës Botërore, qeveria shqiptare po përgatit një reformë të re të mbrojtës sociale, me qëllim rritjen e mëtejshme të mbështetjes për këto kategori, si edhe sigurimit të një raporti sa më të drejtë mes nivelit të kontributeve dhe përfitimeve në skemën e pensioneve./Scan