Temperaturat e larta dhe moti i thatë i këtij viti ka ndikuar sivjet te pakësimi i mjaltit të luleve. Në muajin korrik, periudhë e vjeljes së prodhimit, rezultojnë të dëmtuar prej temperaturave të larta, si bletarët e vegjël dhe të mëdhenj. Përfaqësues të parkut të bletëve nga bletari “Çela” që ndodhet në fshatin Sevran (zonë malore) të Skraparit pohuan për Monitor se sivjet, prodhimi i mjaltit të luleve është pakësuar me 40% krahasuar me vjet, për shkak të tharjes së luleve nga temperaturat e larta.

Në bletarinë “Çela” janë të vendosura 200 koshere bletësh dhe sipas rritësve të bletëve, është hera e parë që ata ndeshen me një pakësim të lartë të prodhimit. Situata paraqitet më e vështirë te rritësit e vegjël të bletëve. Luli Shyti disponon rreth 20 koshere me bletë në fshatin Bilisht të Korçës. Ai thotë se sivjet nuk ka prodhuar pothuajse fare mjaltë lulesh, situatë që e ka dëmtuar në kosto.

“Temperaturat e larta thanë lulet e pemëve. Në muajin korrik nuk arritëm të vjelim asnjë sasi mjalti. Madje duke mos pasur lule se ku bletët të ushqeheshin, brenda 2 ditësh konsumonin rreth 1 kv mjaltë të prodhuar prej tyre. Në këtë zonë e kemi të pamundur t’i lëvizim bletët në kullota. Nëse ato do të lëviznin mund t’i vilej deri në 2 herë në vit prodhim”.

Fermeri Alban Çakalli nga fshati Mamurras shpjegoi se thatësira e madhe e zgjatur ka ndikuar në prodhim të pakët. Po ashtu Çakalli thotë se mungesa e infrastrukturës rurale pamundëson lëvizjen e tufave të bletëve nëpër kullota.

“Në Shqipëri nuk aplikohet shumë lëvizja e bletëve për të ndjekur kullotat. P.sh në vende të tjera bletarët shkojnë në kullota sipas sezoneve. Mungesa e rrugëve rurale nuk e favorizon lëvizjen e bletëve. Po ashtu janë bletar që kanë pak numër kosheresh dhe kjo ndikon që të mos ketë interes për të lëvizur. Shqipëria ka potencial të madh në bletari, por duhet të funksionojnë të gjitha hallkat e zinxhirit që të jetë fitimprurëse”, thotë ai.

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2023 sasia e prodhuar e mjaltit arriti në 5,633 tonë. Krahasuar me 2022, prodhimi u rrit rreth 5%. Në periudhën nga viti 2004 deri në 2023, tendenca e prodhimit të mjaltit ka qenë në rritje. Por rënia e prodhimit sivjet pritet të shoqërohet me rritje të çmimeve të mjaltit të prodhuar nga bletarët, si dhe të favorizojë shitjen e produktit nga importi.Zakonisht bletarët tanë mjaltin e shesin te njerëzit që i njohin, te të afërmit e tyre. Aktualisht çmimi i shitjes së mjaltit të luleve varion nga 1,500 deri 2,000 lekë/kavanozi (sasia e kavanozit me 500 gram mjaltë).

Alban Çakalli thotë se mungesa e prodhimit vendas do të zëvendësohet me mjaltë artificial nga importi. “Ka kompani që importojnë nga vendet e tjera me çmime më të lira”, thotë ai. Në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024, bletaria u mbështete në vlerën 1,000 lekë për zgjua, për fermat mbi 50 zgjoje. Për herë të parë këtë vit u financua mbi tavanet e çdo mase mbështetëse, një risi kjo që do të rrisë përfitimin për çdo aplikues. Konkretisht, fermat me mbi 150 zgjoje bletësh, u financuan me 50% të masës, për çdo zgjua mbi tavanin 150. Bletarët e bashkuar në një grupim fermerësh (minimumi 7 anëtarë), përfituan të parët, duke marrë secili prej tyre në llogari të veçantë masën e financimit në nivelin maksimal prej 100%.

“Në fakt bletaria është i vetmi sektor që është mbështetur nga Ministria e Bujqësisë. Nuk mjafton, por është stimul i mirë. Ndihmë e mirë do të ishte të prodhoheshin mbretëresha dhe të shpërndaheshin te bletarët. Shpesh futen mbretëresha nga Serbia dhe Greqia dhe përhapin sëmundje te bletët. Duhet një organizim më i mirë”, rekomandon fermeri Alban Çakalli.

Vendi me prodhimin më të lartë të mjaltit në rang global me një sasi prej 461,900 ton sipas të dhënave të FAO për 2022 është Kina. Më pas prodhuesi i dytë më i madh është Turqia me një sasi prej 118,297 ton. E ndjekur nga Irani me një sasi të prodhuar prej 79,534 ton, për të vijuar me Indinë (sasia e prodhuar ishte 74,2024 ton), Argjentinën (70,437 ton), Rusinë (67,014) etj. Në listën globale të prodhimit të mjaltit Shqipëria renditet në vendin e 51 për sasinë e prodhuar prej 5,391 ton për vitin 2022./ Monitor