Shqipëria ofron turizëm gjithëvjetor për shkak të klimës, qyteteve historike, vijës bregdetare dhe monumenteve të shumta nga jugu në veri.

Vitet e fundit Shqipëria ka pësuar një “bum” turistik duke u vizituar nga miliona turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë preferuar të kalojnë pushimet e verës, por edhe të vizitojnë zonat malore të vendit.

Ndër qytetet më të vizituara mbeten Tirana, Kruja, Berati, Gjirokastra, Korça, Shkodra, qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda, por edhe zonat malore të vendit si Tropoja, Thethi, Kukësi etj.

Ajo që bie në sy vitet e fundit është se turizmi është gjithëvjetor, jo vetëm në 3 muajt e verës.

Sipas statistikave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, të bëra publike pak ditë më parë, ministrja Kumbaro nga janari deri në fund të gushtit Shqipërinë e vizituan 8.5 milionë vizitorë që e shprehur në përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar janë rreth 20% më shumë vizitorë të huaj.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ATSH sjell fotogaleri nga Tirana e cila edhe këtë fundshtatori vijon të jetë e mbushur me turistë të huaj.

Vizitorët shihen kudo që nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Skënderbej” tek “Piramida”, në Bunk Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzeumet e Tiranës.

Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia e gjetheve”, etj.

Të shoqëruar nga guidat turistike, turistët mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare. Vzitorët e huaj shijojnë edhe jetën e zakonshme të kryeqytetit në kafenetë apo restorantet në Tiranë./ata