Hungaria ka konfirmuar zyrtarisht vendimin unanim të marrë nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare për thirrjen me 15 Tetor të konferencës së dytë ndërqeveritare me Shqipërinë ku edhe do të nisin negociatat faktike të anëtarësimit të vendit tonë.

Me anë të një letre drejtuar qeverive të shteteve anëtare, presidenca hungareze konfirmon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e grup kapitullit të parë i cili ka të bëjë me të drejtat themelore, prokurimet, statistikat, gjyqësorin, drejtësinë, liritë individuale, sigurinë dhe kontrolli financiar.

Për nisjen e negociatave faktike me vendin tonë edhe zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero konfirmoi faktin se ndryshe nga Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë kusht shtesë. “Qëndrimi i Komisionit Evropian është shumë i qartë. Ne presim që vendet anëtare të BE-së të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur negociatat për kapitullin e parë të grupit për çështjet bazë me Shqipërinë. Kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, kjo duhet të ndodhë kur të ketë përmbushur të gjitha kushtet që janë vendosur nga Këshilli Evropian.”, shprehet ajo.

Kjo vendimmarrje, nënkupton faktin se Shqipëria po ndahet në procesin e anëtarësimit nga Maqedonia e Veriut, e cila vazhdon të ketë probleme me Bullgarinë.

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në Korrik të vitit 2022 ndërkohë qe ka përmbyllur me sukses procesin ‘screening’. Qeveria shqiptare synon që brenda dy viteve në vijim të ketë realizuar disa konferenca ndërqeveritare me objektiv strategjik anëtarësimin e vendit në BE brenda vitit 2030./ata