Partia Demokratike ka mbledhur të enjten në mbrëmje kryesinë e saj.

Mbledhja vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, që dënoi me 1 vit burgim deputetin demokrat Ervin Salianji, për akuzën e “Kallëzimit të rremë”, në kuadër të dosjes së njohur me emrin “Babalja”.

Në mbledhjen e Kryesisë ka marrë pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ndodhet në “Arrest shtëpie”, pasi rezulton i pandehur nga SPAK për çështjen “Partizani”. Po ashtu, pjesë e mbledhjes ishte dhe vetë deputeti Salianji.

Gjatë mbledhjes Berisha iu drejtua kryesisë së selisë blu duke theksuar se “me këtë akt Edi Rama i shpalli luftë të hapur PD-së, shpalli luftë të hapur opozitarëve dhe mbarë qytetarëve”.

“Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e deputetit Ervin Salianji, veçse një ndëshkim, një hakmarrje primitive. Sot, nuk ka asnjë vend tjetër në Europë, që tre liderët e opozitës t’i ketë në proces politik. Nuk ka asnjë vend tjetër në të cilin deputeti i opozitës të dënohet se denoncoi trafikantin e dënuar në Itali dhe që mbrohej nga vëllai i tij në Shqipëri”, tha ai.

Berisha tha se Rama synon të fitojë mandatin e vitit 2025 duke burgosur opozitën.

“Një vend ku shtypet opozita, nuk ka sovranitet të brendshëm. Ku shtypet një opozitë, e cila bën të gjitha përpjekjet për funksionimin e Kushtetutës, për funksionimin e ligjeve, për funksionimin e rregullores së parlamentit”, shtoi ai.

Berisha theksoi se qëndrimi i opozitës do jetë përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë.

“Përballje dhëmb për dhëmb si objektivi më madhor absolut, me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë dhe bën gjithçka që të mos ketë opozitë”, tha ai.

Sipas tij, “kjo është një betejë për një opozitarizëm që i bën të qartë qeverisë se nuk mund të veprojë kurrë kështu siç po vepron”./ata