Në kantierin e quajtur “Urat” në Unazën e Madhe të Tiranës, punohet me ritme të larta, me synim finalizimin e të gjithë kësaj vepre në fund të këtij viti.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve, teksa bëri të ditur se, “veprat e artit, janë një element i rëndësishëm i këtij projekti, ku po avancohet ndjeshëm”.

Balluku tha se, “urat që ngrihen mbi lumin Tirana tashmë kanë marrë formë. Më shumë se 70% e punimeve në këtë lot kanë përfunduar dhe do të vijohet me të njëjtat ritme deri në përfundimin e plotë të tij”.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë.

Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut.

Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve./ata