Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot në një takim ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Álvaro Renedo Zalba.

Gonxhja bëri të ditur se temë e diskutimeve ishin forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor.

“Ndamë lajmet e mira nga suksesi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara – OBP që në kohë rekord po ndërton standard të ri në prokurimin publik dhe fuqizimin e konkurrencës në treg, duke e njohur Ambasadorin edhe me zhvillimet mbi politikat e reja të administrimit të aseteve publike në funksion të investimeve me përfitim publik nga Korporata Shqiptare e Investimeve – AIC”, shtoi ministri.

Po ashtu, Gonxhja tha se reformat dhe progresi për harmonizimin me EU, si dhe projektet e fushës së aftësimit profesional ishin pjesë e bisedës ku morëm vlerësim për risitë dhe programet e MEKI-t.

“Diskutuam gjithashtu për mundësi të tjera takimesh me profesionistë spanjollë, si një hap i mëtejshëm për të eksploruar projekte të reja bashkëpunimi në fushën e artit, kulturës dhe inovacionit. Ky bashkëpunim është një mundësi për të zhvilluar ekonomi kreative, të cilat kanë potencial të ndjeshëm për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, shtoi ai./ata