Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli ka reaguar pas sulmeve dhe akuzave të Sali Berishës një ditë më parë. Ky i fundit e akuzoi Rakip Sulin si të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Kryebashkiaku i është përgjigjur sot, duke thënë se Berisha në Kamëz shkon vetëm për mitingje, teksa kryeministri Edi Rama në tre vite ka inauguruar 28 kanitere ndërtimi.

“Dua të të ftoj të kandidosh vetë në Kamëz e ta shikoni se çfarë rezultati poshtërues do marrësh. Do të të krijoja kushte që me karrocë për të moshuarit të vije dhe të vizitoje objektet arsimore që janë bërë në Kamëz, të shikoje cilësinë dhe kushtet e fëmijëve në shkolla kopshte e çerdhe dhe ta krahasoje me modelin tënd më të shëmtuar 30 vjeçar.  Ka mbi 30 vjet që vjen në Kamëz vetëm për mitingje. Në vetëm 3 vite Kryeministri Edi Rama ka ardhur plot 28 herë për të parë kantierët e puneve publike në këtë Bashki”, tha ai

Më pas duke iu përgjigjur ironisë se kur Rakipi shkon në fshatin e tij në Dibër, të nesërmen numërojnë kuajt, Suli shton:  “Unë vij nga një zonë e Dibrës me shumë tradita dhe me histori të lavdishme. Jam kryelartë për zonën nga vij dhe jam i lumtur që i kam përfaqësuar denjësisht në udhëtimin tim qoftë privat qoftë publik.

Pyet mirë Sali, mos i lësho fjalët si lopa bajgën. Sa për kuajt që trazojnë mendjen tënde të sëmurë dhe gojën tënde të pistë, mund të të them se jam kalorës dinjitoz i Çidhnës e Dibrës prej nga vij dhe duelet e mia i kam fituar gjithmonë. Mbase kjo jua trazon psiqikën e sëmurë. Shihemi në 14 Maj!”, shkruan Suli.