Media izraelite raportoi se vlerësimi zyrtar i autoriteteve në vend është se Hassan Nasrallah, udhëheqësi i grupit libanez Hezbollah, është plagosur disa orë më parë në sulmin ajror në periferinë jugore të Bejrutit.

“Vlerësimet nga niveli zyrtar në Izrael tregojnë se Nasrallah u plagos në sulmin ndaj selisë kryesore të Hezbollahut në periferinë jugore”, tha Kanali 12 izraelit.

Ai shtoi se Izraeli beson se Nasrallah ishte në zonën e shënjestruar dhe se “kushdo që ishte atje do të ketë vështirësi të dalë i gjallë”.

Kanali gjithashtu raportoi se Izraeli ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha ambasadat e tij në mbarë botën pas sulmit në Bejrut.

Sipas korrespondentit të Anadolus në terren, avionët luftarakë izraelitë kryen rreth dhjetë sulme ajrore në zonë, e cila është bastion i Hezbollahut, me një sasi të madhe tymi që ngrihej mbi zonë.

Menjëherë pas sulmeve ajrore, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se sulmi kishte në shënjestër shtabin kryesor të Hezbollahut, për të cilin ai pretendoi se ishte ndërtuar nën ndërtesa civile.

Deklarata fillestare e Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit thotë se dy persona janë vrarë, ndërsa 76 të tjerë janë plagosur si rezultat i sulmeve, megjithëse kryeministri i vendit Najib Mikati tha se informacionet sugjerojnë se ka “një numër të madh viktimash”.

Izraeli ka goditur Libanin që nga mëngjesi i së hënës, duke vrarë mbi 700 njerëz dhe duke plagosur afro 2.200 të tjerë, sipas shifrave të publikuara nga Ministria libaneze e Shëndetësisë.

Ministria ka thënë gjithashtu se numri i të vdekurve në Liban që nga tetori i kaluar është 1.540, përveç më shumë se 77.000 të zhvendosurve nga pjesët jugore dhe lindore të vendit.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 41.500 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, duke ngritur shqetësime për zgjerimin e konfliktit të Gazës në një luftë rajonale./aa