Grupi i Kontaktit të Gazës, i formuar për të ndaluar sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, propozon krijimin e një Aleance Globale për të çuar përpara zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Në takimin në nivel ministror të mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York morën pjesë kryeministri palestinez Mohammad Mustafa, zëvendësministri i Jashtëm turk Nuh Yılmaz, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al Saud, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide dhe përfaqësues nga vende të ndryshme.

Ministri i Jashtëm saudit, Al Saud tha se "Sot u mblodhëm për të propozuar një Aleancë Globale për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, duke u fokusuar në krijimin e shtetit palestinez".

Ai tha se ata do të mbajnë takime pasuese në kryeqytete të ndryshme, përfshirë Rijadin, Brukselin, Kajron, Oslon, Amanin dhe Ankaranë, për të çuar përpara rekomandimet e ngritura në seancën në New York dhe në takime do të fokusohen në pikat praktike të veprimit për të mbështetur përpjekjet e OKB-së për paqen për të arritur një zgjidhje me dy shtete.

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me refuzimin nga ana e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të propozimit për vendosjen e armëpushimit në Liban, Al Saud theksoi se nuk ishte aspak i befasuar. "Fatkeqësisht që nga shpërthimi i luftës në Gaza, kemi parë se çdo herë që u tha se ishim afër armëpushimit në Gaza, kjo nuk ndodhi", tha ai.

Al Saud shprehu zhgënjimin e tij për qëndrimin e Izraelit ndaj Libanit. "Nuk mund ta kuptoj se si lufta mund të jetë opsioni i vetëm. Duhet të ketë opsione të tjera dhe për këtë arsye do të përsëris thirrjen tonë për armëpushim dhe që diplomacia të mbizotërojë", u shpreh ai.

Grupi i Kontaktit të Gazës u formua në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islam-Ligës Arabe të mbajtur në Arabinë Saudite në nëntor 2023, me qëllim ndalimin e luftës në Rripin e Gazës dhe për të ndihmuar në vendosjen e një paqeje të përhershme në rajonin i cili për gati një vit ka qenë nën sulmet shkatërruese izraelite./aa