Huthit në Jemen njoftuan se kanë shënjestruar me raketë balistike dhe mjete ajrore pa pilot qytetet Tel Aviv dhe Askalan të Izraelit.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree bëri një deklaratë nga platforma e medias sociale X në lidhje me sulmet.

Saree në deklaratën e tij vuri në dukje se Huthit shënjestruan me dronë qytetin Askalan dhe me raketë balistike Tel Avivin.

Ushtria izraelite njoftoi se në orët e natës në qiejt e vendit kishte parandaluar përmes sistemeve të mbrojtjes ajrore një raketë balistike të lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit.

"Raketa e lëshuar nga Jemeni u parandalua me sukses nga sistemi i mbrojtjes ajrore Arrow", thuhet në deklaratën me shkrim nga ushtria.

Në deklaratën në të cilën nuk u dhanë informacione se në cilën pjesë të vendit u parandalua raketa, thuhej se për shkak të lëshimit të raketës u aktivizuan sirenat./aa