Ardian Vehbiu mbajti javën e kaluar një takim informal te “Hana Corner Café” ku u fol për lexuesin dhe lexuesin shqiptar. Ai ishte në bashkëbisedim me gazetaren Elsa Demo dhe kryeredaktoren Elona Pira.

U gjet koha për një intervistë të shkurtër kur ai foli dhe ca fjalë për eventin dhe Bibliotekën e re kombëtare që do të ndërtohet te Garda, lajmin për të cilën e dha ministri Gonxhja.

« Jemi në Tiranë këto ditë si redaksi e revistës si Elona Pira dhe unë dhe menduam të bëjmë një takim informal me dashamirës, miq, kolegë, lexues për të folur për lexuesin shqip. Një temë që e kemi trajtuar shpesh në faqet e revistës nga shumë anë, nga analiza mirëfilli semiotike, letrare por dhe nga ana sociologjike.

Në biseda të tilla mund të takosh lexues por edhe njerëz që ti vetë i lexon, është tjetër gjë. Me këtë rast edhe folëm për disa gjëra që mendojmë ne nuk shkojnë me lexuesin sot dhe gjithmonë takime të tilla janë jo vetëm informative por synojnë dhe njëlloj ndërhyrjeje për ti përmirësuar gjërat dhe për fat të keq problemet me leximin shqip i tejkalojnë ato që u thanë këtu. Le ta konsiderojmë si një kontribut sado të vogël në sqarimin e gjërave.

Shqipja e shkruar nuk po lexohet. Nuk po lexohet mirë, nuk po lexohet aq sa duhet dhe nuk po lexohet nga njerëzit që duhet të lexonin. Pra ka shumë gjëra që lidhen me leximin e keq të cilat i kemi adresuar në njëfarë mënyre.

Unë shpresoj që Biblioteka të hapet sa më shpejt sepse Biblioteka është një institucion qendror. Duhet të jetë aty, duhet që ti si njeri i interesuar për kulturën ta dish pavarësisht çfarë bën. Të jetë e hapur, të jetë prezente dhe të jetë aktive në jetën kulturore të vendit ku ti jeton, aq më tepër në kryeqytet që biblioteka kombëtare ka qenë tradicionalisht institucion qendror dhe këto kanë ndodhur së fundmi, vështirësitë e ndryshme që ka pasur duke filluar nga dëmtimet e gjërave etj por edhe nga arsyet e tjera që nuk më takon mua ti analizoj, nuk e ka luajtur dot rolin që pritej dhe kjo gjë i ka dëmtuar njëfarësoj marrëdhëniet e lexuesit me bibliotekën si institucion, ose me këtë vend ku ti shkon dhe bie në kontakt me librin përtej raportit komercial të blerjes së librit në librari. Kemi pasë një bibliotekë dhe të gjithë kemi dhënë e kemi marrë me biblioteka. Edhe ne që jetojmë jashtë Shqipërisë e kuptojmë se sa rëndësi ka biblioteka. Në New York biblioteka publike është institucion i rëndësishëm, unë vetë çdo muaj jap diçka për bibliotekën sepse më pëlqen që të kem edhe unë një kontribut sado të vogël për ta ndihmuar bibliotekën të mbijetojë dhe të zhvillohet. Biblioteka publike në New York për mua në vitet e para në New York ishte institucioni ku unë shkoja për të mësuar për Amerikën, vendin e ri që kisha zgjedhur për të jetuar. E kam fjalën që janë gjëra që nuk kanë lidhje vetëm me Shqipërinë por kanë lidhje në përgjithësi me formimin e njeriut të paktën në perëndim. Në raport me librin përtej komercializmit të librarisë në vendet ku shitet libri. Në bibliotekë kjo gjë nuk ndodh dhe i jep një lloj fisnikërie raportit me librin. Prandaj unë mezi pres të shikoj një bibliotekë te Garda që të jetë e tillë që të shkojmë si në shpinë tonë. Në këtë kuptim e kam fjalën. E tani, unë i njoh një pjesë të atyre që punojnë atje, i kam miq, nuk kam ndonjë problem unë vetë por e mendoj që për Tiranën do të duhej një institucion që ti përgjigjej edhe kohës që jetojmë. Se ajo që kemi është akoma si në mes, e kapur mes dy epokave. Mbase një ndërtesë e re, një seli e re do të jetë shkas për një fillim të ri të raportit me lexuesin e gjërë. Ajo e vjetra të shërbejë si muze për historinë e bibliotekës vetë, ose të Albanologjisë si arkiv. » - shprehet Vehbiu./Tema