Amazon është kompania më e fundit e madhe, që urdhëron stafin të kthehet në zyrë pesë ditë në javë, duke i dhënë fund punës nga shtëpia në gjigantin e teknologjisë 1.99 trilion dollarësh.

Ashtu si shefat e JPMorgan, Boots dhe Goldman Sachs, CEO i Amazon Andy Jassy përmendi forcimin e kulturës së kompanisë, si një nga arsyet kryesore pas rritjes së kërkesave të rikthimit në zyrë nga tre ditë, në orar të plotë 5-ditor.

Megjithatë, një raport i ri nga firma konsulente PricewaterhouseCoopers (PwC), sugjeron se kalimi në punë me kohë të plotë në zyrë, mund të ketë një efekt të ndryshëm nga ai që synohej.

PwC kreu 13 muaj kërkime dhe anketoi mbi 20,000 drejtues biznesi, zyrtarë kryesorë të burimeve njerëzore dhe punëtorë për Raportin e Radarit të Fuqisë Punëtore – dhe zbuloi se punëtorët hibridë ndihen më të përfshirë dhe produktivë, sesa ata që ulen në tavolinën e zyrës pesë ditë në javë.

“Ndërsa shumë kompani po bëjnë presion për rikthim në zyrë, rezulton se punonjësit hibridë shfaqin nivele më të larta të kënaqësisë,” thekson raporti.

Studiuesit zbuluan se mbi tre të katërtat e punëtorëve hibridë kanë një ndjenjë përkatësie në punë, krahasuar me 74% të punonjësve plotësisht në zyrë dhe 68% të punonjësve në distancë.

Në mënyrë të ngjashme, 74% e punonjësvee hibridë ndihen dhe janë të angazhuar – kjo bie në 72% për punëtorët në zyrë dhe 63% për ata në distancë.

Këto mund të duken si dallime margjinale, por kanë ndikim në kulturën e kompanisë: 90% e punonjësve hibridë raportuan se kultura në firmën e tyre promovon komunitetin, bashkëpunimin, përfshirjen dhe përkatësinë.

Pse dy ditë shtesë në zyrë mund të prishin kulturën e kompanisë

Mund të duket i gabuar ndërtimi i kulturës së kompanisë, duke i inkurajuar punonjësit të kalojnë më shumë kohë larg njëri-tjetrit.

Megjithatë, në të vërtetë, kur drejtuesit zbatojnë punën pesë ditë në javë në zyrë, ata shpesh përfundojnë duke anashkaluar aktivitetet angazhuese dhe që krijojnë kënaqësi./Tema