Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste deklaroi sot se të ardhurat për frymë kanë shkuar në 9300 euro nga 3300 euro që ishin në kohën kur kjo forcë politike nisi qeverisjen e vendit.
Në një takim me grupin e dytë të aplikantëve në platformën digjitale “Deputeti që duam”, Rama tha se pak vite më parë Shqipëria ishte e parafundit në rajon në renditjen për të ardhurat për frymë, ndërsa sot qëndron pas Serbisë dhe Malit të Zi.
“Flet vet fakti që ne kemi qenë një vend me 3300 euro të ardhura për frymë. Sot jemi me 9300 euro të ardhura për frymë. E kemi trefishuar. Është diçka që flet për një rrugë transformimi e shprehur në pasqyrën e këtij territori ku ne jetojmë. Kur ne nisëm detyrën kishim faktikisht të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës para në renditjen për të ardhurat për frymë. Dhe këto janë shifra të FMN-së. Ndërsa sot ne kemi para nesh vetëm Malin e Zi e Serbinë që kanë respektivisht 11 600 dhe 11 300 euro të ardhura për frymë“, deklaroi Rama.
Rama tha se po ashtu rritje ka pësuar edhe paga minimale e cila sot është 400 euro nga 156 euro që ishte në 2013-ën.
Po ashtu theksoi se paga mesatare në sektorin publik ka shkuar 900 euro.
“Ne kur morëm detyrën, paga minimale ishte 156 euro, sot është 400 euro. Paga mesatare në Shqipëri ishte 321 euro, sot është 750 euro. Paga mesatare në sektorin publik sot është 900 euro, por për mësuesit e disa kategori të tjera ka shkuar 950 euro”, tha ai.
Por, kryeministri theksoi se këto të dhëna shërbejnë për të kuptuar se sa shumë mund të bëhet përpara.
“Këto nuk na duhen që ne të ulemi e shijojmë pamjen e Shqipërisë që kemi ndërtuar, por të kuptojmë se sa shumë kohë është humbur më parë se s’kishim pse të ishim aq pas, dhe sa shumë më tepër mund të bëjmë më përpara”, u shpreh ai.
Kryeministri vuri në dukje se tashmë ekonomia e vendit ka kaluar në një pozicion të ri, atë të një ekonomie gjithëpërfshirëse.
“Ku siç ka filluar një pjesë e Shqipërisë të marrë nga kjo rritje e të ardhurave të shtuara, edhe të gjitha pjesët e tjera, duke shkuar deri te pensionistët, që janë pjesa më e madhe, por edhe pjesa që është jashtë rrethit të rritjes gjithëpërfshirëse të marrë pjesën e tyre”, tha ai.
Më tej, Rama solli në vëmendje edhe ecurinë e eksporteve. Sipas tij, sot jemi në nivelin e 8.5 miliardë eurove eksporte kur në 2013-ishin eksportet llogariteshin 2.8 miliardë euro.
“Shqipëria sot, kjo që kemi me atë që kishim kur nisëm rrugën është dita me natën. Ndërsa Shqipëria që unë dua që së bashku ne të kemi në 2030 është “dita diell plotë” krahasuar me këtë që është një Shqipëri në agim dhe “dita diell plotë” do të vijë kur Shqipëria të ulet ne tryezën e Bashkimit Europian si një vend, shtet i barabartë mes të barabartëve dhe të mbarojë përgjithmonë zinxhiri i një mallkimi historik që na ka lënë gjithmonë ose komplet jashtë rrugëve të zhvillimit për shkak të të gjitha pushteteve të huaja apo të brendshme të imponuara mbi ne ose na kanë lënë shumë mbarpa në rrugën e zhvillimit për shkak të paaftësisë sonë për të bërë më të mirën duke nxjerrë më të mirën prej nesh”, tha Rama./ata