Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale këtë vit ka një risi në fushatën për “Tetorin rozë”, pasi gratë dhe vajzat që duhet të kryejnë ekzaminimin do të njoftohen përmes portalit e-Albania si edhe në celular.

Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

“Kemi punuar dhe aktualisht ka filluar aplikimi i njoftimeve periodike për çdo grua dhe vajzë, e cila ka detyrimin për të kryer ekzaminimin. Nëpërmjet portalit e-Albania do të marrin një njoftim periodik për ekzaminimin e radhës, që mund të jetë një mesazh në telefon dhe një mesazh në llogarinë që ka në portalin e-Albania. Është një mesazh që thotë po të vjen afati për të kryer mamografinë e radhës, po të vjen afati për të kryer ekzaminimin e radhës dhe sigurisht me një fokus të shtuar në shëndetin e grave dhe vajzave”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se, “është si kujtesë në kalendar ku çdonjëri nga ne vë një ‘reminder’ për një takim të radhës, do t’i vijë një mesazh kujtese për takimin e radhës për diagnostikën e nevojshme”.

Koçiu vuri në dukje se përveç takimit që gratë e vajzat do të lënë përmes e-Albania, do të marrin gjithashtu edhe përgjigjen e ekzaminimit në llogarinë që kanë në portal.

“Përveç njoftimeve periodike që do t’u vijnë grave dhe vajzave nëpërmjet portalit e-Albania gjithashtu do t’u vijnë po në llogarinë e portalit e-Abania edhe leximi i mamografisë, i diagnostikës apo analizave që ka kryer. Çfarë na ndodh shpesh? Vërtet shtyhemi dhe shkojmë drejt një diagnostikimi, shkojmë bëjmë një ekzaminim pastaj nuk shkojmë të marrim përgjigjet. Kjo ndodh shpesh, më ka ndodhur edhe mua personalisht. E kam kryer ekzaminimin, kam harruar të shkoj e të marr përgjigjen me idenë që, hë se mirë është, do të më thotë ndonjë po të isha keq”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu tha se, “ajo çfarë kemi realizuar është që përgjigjja do të shkojë në llogarinë në e-Albania, do të kenë mundësinë ta kenë aty dhe do të lexojnë lehtësisht vlerësimin e analizave apo të ekzaminimeve që kanë kryer”./ata