Megjithëse zyrtarisht jemi në pranverë, dëbora vijon të jetë e pranishme në Parkun Kombëtar të Shebenikut, duke ofruar një panoramë të mrekullueshme që nuk duhet lënë pa u vizituar.

 

Vitet e fundit parku po përfshihet rishtaz në guidat turistike shqiptare e sidomos tek të apasionuarit e alpinizmit dhe dëborës.

 

Shebeniku është mal në verilindje të Librazhdit, me lartësi 2253 m. Ai kufizohet me luginën e Shkumbinit të sipërm në perendim, luginën e Rapunit në veriperendim dhe Jabllanicën në lindje.

 

Përbëhet kryesisht nga shkëmbinj ultrabazikë. Ka forma të shumta të relievit akullnajor (mbi 1600 m) si cirqe, lugje, lugina dhe liqene akullnajore. Prej këtu burojnë përrenjtë e Bushtricës dhe Qarrishtës që janë degë të djathta të Shkumbinit.

 

Bimësia përbëhet kryesisht nga pyje ahu e dushku. Në pjesët e ulëta gjenden shkurre, kurse në kreshtën e tij ka kullota alpine. Ndër kafshët e egra takohen, sidomos në pyjet e Qarrishtës, ariu, derri i egër, kaprolli, zardafi, pëllumbi i egër etj./ATSH