Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas pajtueshmërisë së Kosovës dhe Serbisë në orët e vona të së shtunës mbi aneksin e zbatimit të planit evropian.

 

Ai është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka sjellur mbrëmë Kosovës një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me Asociacion.

 

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

 

Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

 

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./KosovaPress/