Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump pretendon se të martën pret të arrestohet lidhur me hetimin e prokurorit rajonal të Manhattan-it dhe për këtë arsye bëri thirrje për protestë, transmeton Anadolu.

 

Në një postim nga llogaria e tij Truth, Trump tha: "Tani, rrjedhjet e paligjshme të kryera nga Zyra e Prokurorit rajonal të Manhattan-it, i korruptuar, jashtëzakonisht politik dhe i cili përpiqet të thyejë rekorde të reja për krimet e tij dhe i cili financohet nga personi në krye të tij George Soros, tregojnë se të martën, javën e ardhshme ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati kryesor republikan për president do të arrestohet, përmes përrallave të vjetra dhe tërësisht të hedhura poshtë (të hedhura poshtë edhe nga shumë prokurorë të tjerë), ndërkohë që asnjë krim nuk mund të dëshmohet. Protestoni, rimerrni vendin tuaj!".

 

Trump nuk ka dhënë detaje për çështjet pse ai pret të arrestohet, por ekipi i tij i avokatëve ka folur për mediat amerikane dhe kanë deklaruar se ish-presidenti amerikan është në pritje të një aktakuze dhe se po përgatitet për hapat e ardhshëm.

 

Gjykata rajonale e Manhattan-it më 17 mars thirri avokatin Evan Corcoran për të dëshmuar lidhur me "dokumentet sekrete" shtetërore që janë konfiskuar në rezidencën Mar-a-Lago të Trumpit.

 

Më tej thuhet se prokurorët e New York-ut janë pranë ngritjes së një gjykimi kundër ish-presidentit Trump lidhur me pagesën prej 130 mijë dollarë ndaj aktores së "filmave për të rritur" e njohur si "Stormy Daniels".

 

Pretendohet se aktorja në fjalë ka patur një lidhje me Trumpin para garës presidenciale dhe se para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 ajo ka marrë 130 mijë dollarë për të heshtur.