Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se, dakordësia e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë është një garanci e shtuar për normalizimin e raporteve mes tyre, rrjedhimisht edhe garanci për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

 

“Mirëpresim zbatimin e marrëveshjes nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA”, u shpreh ai.

 

Bashkimi Evropian ka publikuar aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit në Ohër.

 

Ndër të tjera, Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që ata marrin nga BE-ja.