Gjermania mirëpret dakordimin e marrëveshjes në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë lajm të mirë.

 

 

Përmes një reagimi publik zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, ka thënë se tani duhet të zbatohet marrëveshja që është rënë dakord mes dy palëve.

 

“Urime për këtë përparim për të vendosur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në një pikëmbështetje të re! Tani gjithçka ka të bëjë me marrjen e udhëheqjes për mbajtjen dhe zbatimin e asaj që është rënë dakord. Ne do të jemi në krahun tuaj për të përmbushur perspektivën tuaj evropiane”, shkruan Hebestreit në Twitter.

 

 

Po ashtu, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde thekson se duhet pa vonesë të ketë përparim të shpejtë në çështjet e dakorduara në këtë marrëveshje.

 

“Në të vërtetë, tani kemi nevojë që pa vonesë të ketë përparim të shpejtë në të gjitha çështjet e dakorduara”, thekson Rhode.

 

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes të mbështetur nga BE-ja. Në një komunikim për media ai deklaroi se kjo është një “arritje e rëndësishme”.